Velipojë/ Shisnin doza kanabisi, një në pranga një nën hetim
Një person ka rënë në pranga, teksa një tjetër është proceduar në gjendje të lirë dhe është nën hetim, njofton policia e Velipojës.
Teksa policia ka sekuestruar edhe dozat e kanabisit të cilat ishin përgatitur për shitje.
Njoftimi i policisë:
Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 3”. Kapen në flagrancë 2 shtetas që shitnin doza cannabisi në zonën bregdetare të Velipojës. Vihet në pranga njëri prej tyre, procedohet penalisht tjetri.
Sekuestrohet lënda narkotike cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se 2 shtetas shitnin lëndë narkotike në zonën bregdetare të Velipojës, kanë organizuar punën në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Si rezultat i veprimeve policore, u kapën në flagrancë në afërsi të një lokali në Velipojë, me doza cannabisi të gatshme për shitje, shtetasit M. Th. dhe E. P.. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi M. Th., 29 vjeç, banues në Tiranë dhe nisi precedimi penal për shtetasin E. P., 28 vjeç, banues në Pogradec.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.