Velipojë- Vdekja e 19-vjeçarit italian nga përplasja e Jet Ski-ve, arrestohet kunati i tij
Përplasja e dy Jet Ski-ve në Velipojë mesditës e së dielës (18 gusht) rezultoi fatale për 19-vjeçarin nga Italia.
Policia ka bërë me dije se ka vënë në pranga kunatin e viktimës, (vëllai i të fejuarës së shtetasit N. L, që humbi jetën.)
Dy shtetasit italianë të cilët kishin ardhur në Shqipëri me pushime, kishin marrë me qira dy mjetet lundruese.
Por teksa po kryenin manovra me Jet Ski-të në thellësi të plazhit të Velipojës, rreth një milje larg nga perimetri i sigurisë, të rinjtë kanë humbur kontrollin mbi mjetet lundruese, çka ka sjellë dhe përplasjen e cila rezultoi fatale për turistin 19-vjeçar.
“Në vijim të dy informacioneve te dhëna më parë, në lidhje me përplasjen e dy mjeteve lundruese Jet Ski, në thellësi të plazhit të Velipojës, rreth një milje larg nga perimetri i sigurisë, ku si pasojë e plagëve të marra shtetasi italian N. L., 19 vjeç, humbi jetën në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ju informojmë se:
Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, u arrestua në flagrancë shtetasi S. D., 20 vjeç, banues në Napoli Itali (vëllai i të fejuarës së shtetasit N. L, që humbi jetën.)”, thuhet në njoftim.