Vendimet/ Balla: Pagesë ushqimi për policët, përfitojnë 118 mijë lekë në vit. 1 pagë shpërblim për zjarrëfikësit
Qeveria miraton vendimin për dhënien e shpërblimit prej 118 mijë lekësh, detyrim i 2023-shit, për punonjësit e Policisë së Shtetit. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla sqaroi se ky detyrim lidhet me pagesën e ushqimit për çdo punonjës policie.
“Qeveria sapo ka miratuar vendimin për të shlyer një detyrim prej shumë kobësh ndaj punonjësve të policisë së shtetit që lidhet me pagesën e ushqimit për çdo punonjës policie për gjatë gjithë kohës së ushtrimit të detyrës së tij, përgjatë orarit të punës dhe po ashtu gjatë gjithë kohës kur bëhet fjalë për angazhimin e tyre në misione, operacione apo emergjencave civile.
Në rastin e 22 ditë pune në muaj, çdo punonjës policie i shtetit do marrë një pagesë për një vakt ushqimor, që nëse do përllogaritet, në 12 muaj i bie rreth 264 pagesa shumëzuar me 450 lekë. Çdo punonjës për vitin 2023, do marrë një pagesë prej 118 mijë lekë të reja në vit. Është shpërblimi më i madh që mund të ketë marrë ndonjëherë një punonjës i policisë së shtetit.
Në rastet e angazhimit në operacione, pagesa ndryshon, është më e lartë se kjo”, tha Balla.
Një tjetër vendim i marrë nga qeveria në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave lifhet dhe me shpërblimin e punonjësve të zjarrëfikëses. Balla u shpreh se para Vitit të Ri, ccdo zjarrëfikës do të marrë një pagë shpërblim, ndërsa për ata zjarrëfikës që u angazhuan në misionin për shuarjen e zjarrit në Greqi, ky shpërblim do të jetë sa dy paga mujore.
“Tjetra, mirënjohja që qeveria u jep të gjithë punonjësve të zjarrfikësve. Sapo kemi miratuar një shpërblim, qeveria do u transferojë bashkive të vendit fondin, në mënyrë që para natës së vitit të ri të gjithë punonjësit të marrin shpërblimin e një page mujore, në vlerësim të punës së tyre.
Të gjithë zjarrfikësit shqiptarë të angazhuar në misionin për t’i ardhur në ndihmë popullit grekë gjatë përballjes me zjarret, shpërblimi për ta do jetë 2 paga mujore”, tha Balla.