Categories: LajmeKronikë

Vendimi/ Ekstradohet nga Franca i shumëkërkuari, Behar Bajri

Behar Bajri, një personazh i shumëpërfolur i botës së krimit në Shqipëri, do të ekstradohet. Bajri, i arrestuar rreth dy muaj më parë në Strasburg, tashmë pritet të ekstradohet nga Franca. Ai ishte shpallur në kërkim në kuadër të dosjes ‘Metamorfoza’.

Sipas të dhënave të dosjes, në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, ku u zbulua një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore, emri i Behar Bajrit ishte në krye të lsitës pasi kishte planifikuar që të vriste Ibrahim Licin dhe Genc Tafilin.

Nga përgjimet rezulton se ai komunikonte me biznesmenin Pëllumb Gjoka, tashmë edhe ky i arrestuar, pasi përmes SkyECC komunikonte me Gjokën dhe i kërkonte që të dalë sa më shpejt nga paraburgimi, pas arrestimit në kuadër të operacionit ‘OAZ’, që u zhvillua në vitin 2018.

Bajri, sipas përgjimeve, ishte gati që të ofronte shuma të mëdha parash, në këmbim të zbutjes së masës së sigurisë.

Sipas dosjes së akuzës, Bajri, i konsideruar si një nga personazhet më të rrezikshme të botës së krimit në Shqipëri, akuzohet se ka vrarë në gjumë partneren e tij 15-vjeçare, Fabiola Bajri dhe shtetasin Arben Tuzi, ngjarje këto të vitit 2002.

Skeda e akuzave

Vrasja e Fabiola Bajrit në gjumë

Behar Bajri akuzohet se e vrau Fabiola Bajrin më 20 qershor 2002 në gjumë. Ata ishin të fejuar prej 3 muajsh, megjithëse Fabiola ishte e mitur. Fejesa ishte bërë me aprovimin e familjes, ndërkohë që pas tri muajsh ai e ka rrëmbyer dhe e ka marrë në shtëpinë e tij. Sipas të dhënave, vrasja ka ndodhur pasi ajo i ka kërkuar leje për të shkuar diku. Bajri e ka refuzuar dhe ka patur përballë shpërthimin emocional të të miturës. Po të njëjtat burime, sqarojnë se ai akuzohet se e vrau në gjumë me një plumb pas kurrizit. Pavarësisht se ngjarja u raportua si vetëvrasje, e gjithë Shkodra bën akuzues Behar Bajrin. Pas vrasjes ai iku nga Shqipëria, e po ashtu edhe familja e të resë. Ata ndiheshin të kërcënuar nga Bajri i cili iu kishte thënë se nëse nuk do të largoheshin, atëherë ai do t’i vriste. Vrasja e të miturës u zbulua nga pozicioni i plumbit që kishte marrë, që ishte poshtë parakrahu. Ndërkohë që pistoleta, e gjetur në banesën e Bajrit, rezultoi se ishte arma e përdorur në vrasjen e Fabiolës dhe Arben Tuzit.

Vjedhja më 14.01.1999

Me datë 14.01.1999 në lagjen Dobraç të qytetit të Shkodrës Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kanë kryer veprën penale të vjedhjes me armë ndaj dy qytetarëve nga Berati, të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip Kamion me targë të Vlorës.

Me datë 14.01.1999

Në lagjen “Vojo Kushi”, janë vrarë me armë zjarri vëllezërit Osman e Artur Alibali. Autorë të dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj. Kjo vrasje është kryer menjëherë mbas vjedhjes me armë të kryer ndaj dy shtetasve nga Berati.

Me datë 21.03.1999

Behar Bajri në bashkëpunim me shtetasin Ilir Bajri kanë tentuar të kryejnë vjedhje me armë ndaj Arben Tuzit dhe vëllait të tij. Nga shkëmbimi i zjarrit të dy palët kanë plagosur njëri-tjetrin.

Me datë 28.01.2000

Në fshatin Dobraç ka vrarë me armë zjarri shtetasin Petrit Demiri, punonjës i Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Shkodër. Për këtë vepër venale Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër e ka dënuar vetëm me dy vjet burgim. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendim të datës 27 shkurt 2007 e ka dënuar me 9 vjet heqje lirie dhe 2 (dy) milion lekë gjobë për kryerjen e veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Me datë 15.02.2001

Në lagjen Vasil Shanto të qytetit të Shkodrës është vrarë me armë zjarri shtetasi Arben Tuzi, vjeç 39 nga Shkodra. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri dhe Ilir Bajri.

Me datë 26.06.2002

Në banesën e Behar Bajrit është gjetur e vrarë bashkëshortja e tij Fabiola Bajri, 16 vjeçe. Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se në këtë rast ishte vrasje dhe jo vetëvrasje siç deklaruan familjarët. Autor i dyshuar i kësaj vrasje është Behar Bajri.

Më datë 12 shtator të vitit 2005, në qytetin e Shkodrës, ku ky shtetas përmes gjobvënies, ka kërkuar që të përfitojë pa të drejtë shumën prej 5 milionë lekësh të reja nga një banor i qytetit të Shkodrës. Këtë krim Behar Bajri (Rustemi) e ka kryer në bashkëpunim me kushëririn e tij Sead Rustemi.

Me datë 18.08.2006

Shtetasi Behar Bajri është akuzuar për përdhunimin e dy vajzave të mitura, krim të cilin e ka kryer në bashkëpunim me një tjetër person. Për këtë ngjarje Gjykata e rrethit Shkodër kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” nën akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim”, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç”.

Ish- prokurori shërbëtor i Bajrit

Xhevahir Lita, drejtuesi i prokurorisë së Kukësit, kur shërbente në Shkodër ishte prokurori personal i Behar Bajrit dhe Pëllumb Gjokës.

Në dosjen franceze të hetimeve që i kaluar edhe Prokurorisë së Posaçme SPAK, ku pasqyrohen bisedat e “Sky”, del i qartë protagonizmi i Xhevahir Litës, jo vetëm si prokuror por edhe si sekser, për të ndryshuar masat e sigurimit dhe liruar Behar Bajrin e të dashurën e tij, Jorida Murati, të arrestuar gjatë operacionit “Oaz”.

Jorida Murati, duhet të dilte nga “arresti i shtëpisë” dhe të kalonte në detyrim paraqitje, pasi sipas Pëllumb Gjokës duhet t’i shkonte Behar Bajrit në takime në burg.

Pëllumbi i shkruan Litës se si me ja bërë me ndryshimin e masës së kësaj të dashurës së Beharit, se duhet me i shku në takime në burg.

Por Xhevahiri i thotë se e ka çuar kërkesën në gjykatë dhe s’mund ta kthente, pasi kishte mbaruar orari zyrtar, duke i kujtuar Pëllumb Gjokës se ishte kujtuar shumë vonë për t’i thënë.

Por përveçse prokuror i dyshes Bajri-Gjoka, Xhevahir Lita shërbente dhe si sekser i tyre në gjykatë, duke takuar dhe biseduar me gjyqtarin e çështjes Besmir Stroka.

Lita takon gjyqtarin Stroka, por ky i fundit nuk e dëgjon fare, madje i ka pohuar se për dosjen do shpalli moskopetencën duke ja dërguar Prokurosisë SPAK.

Megjithatë Lita i shprehet Pëllumbit se ai kërkesën do ja dërgojë sipas parashikimeve pastaj le të ngelet në dorë të gjyqtarit.

Por për shkak se Besmir Stroka nuk e dëgjon shumë Xhevahir Litën dhe s’pranon të bëjë ashtu siç ka kërkuar Lita dhe prokurorja Edlira Cufi, Lita i shkruan Pëllumb Gjokës se do takonte Arbërin, i cili rezulton të jetë Arbër Çela drejtues i gjykatës së Shkodrës.

Kujtojmë se në këtë çështje Xhevahir Lita ka hyrë në 17 shkurt, dy ditë para zhvillimit të gjyqit.

Fillimisht prokurorja Edlira Cufi ishte e vetme në këtë dosje, por pas kërkesës së saj për shtimin e një prokurori për shkak të numrit të madh të të arrestuarve, drejtuesi i prokurorisë ka caktuar Xhevahir Litën.

Por në një bisedë të datës 10 shkurt 2020, mes Pëllumb Gjokës dhe Behar Bajrit, flitet për paracaktimin e Litës në këtë dosje dhe mundësinë e ndërhyrjes së një personi që Bajri e etiketon me nofkën “Tigri”.

Bajri i dërgon mesazh Gjokës nga burgu: “…He vlla ca bane…Itash ja mora kti shokut…telefonin. Mir ma vlla…Mir ma vlla… Mir vlla… Veç qeshtjen e nuses kam pas… At nat si më ka vra nusja vedin ka ken në shërbim… Ja kam rrah edhe kushrinin… Veç në folt Tigri me to…Me shku te aj shoku nuk asht problem. Me e marr Xhevi, me ken ma mir…30 afroji…”.

Xhevahiri sapo ka hyrë në dosje e “Bajrit”, ka filluar komunikimet me Pëllumb Gjokën.

Në 19 shkurt 2020 Xhevahir Lita, bisedon me Pëllumb Gjokën dhe diskutojnë lidhur me gjyqtarin e çështjes Besmir Stroka dhe një person të quajtur “Arbër”, i cili ka marrëdhënie të mirë me Besmirin.

“Arbëri” rezulton të jetë Arbër Çela, drejtues i gjykatës, që së bashku me Xhevahir Litën, në muajin nëntor 2022 i mbyllën dosjen e tjetërsimit të pronave në Velipojë, të hetuarit Pëllumb Gjoka dhe personave të tjerë të kallëzuar.

Xhevahir Lita shpjegon se takimi me “Arbërin” shkoi shumë mirë dhe i shpjegon se “Arbëri” është shumë mirë me Besmirin.

Pëllumb Gjoka i shkruan duke insistuar që të mbyllet “çështja”, por Xhevahir Lita i thotë që do shikojë se ç’mund të bëjë dhe në vazhdimësi të bisedës kërkon që të shtyhet gjyqi dhe shtyrjen ta bëjnë avokatët.

Avokat është Alban Bengasi, pasi Xhevahir Lita dërgon mesazh: “..të vinë avokatët të gjejnë një zgjidhje për atyrje..” dhe Pëllumb Gjoka i përgjigjet “Alban Bengasi”.

Avokati Bengasi është njeriu i shpallur në kërkim nga SPAK në dosjen “Dumani”, për “dhunë në familje” në kuadër të “Grupit Kriminal” dhe “Sigurim i kushteve për të kryer vrasje”.

Në këtë çështje Alban Bengasi është avokat mbrojtës i të gjithë personave të arrestuar si Behar Bajri, Enver Bajri, Safet Rustemi, Ilir Rustemi, Emrah Plaku, Astmer Bilali, Samet Halluni, Ismet Idrizi, Sirjan Alija, Jorida Murati.

Lita e informon dhe koordinon për çdo gjë Pëllumb Gjokën dhe ky i fundit e informon Behar Bajrin në burg.

Lita i shkruan Pëllumbit: “…unë do e dorëzoj gjithsesi kërkesën, por gjyqtari Besmir Stroka e ka vënë në dijeni se çështjen mund ta kthejë për kompetencë në prokurorinë SPAK.

Ndërsa Pëllumb Gjoka i shprehet se: “…është bërë goxha punë për të ardh deri në këtë moment, pasi nuk ka asnjë bazë ligjore që çështja të shkojë sërisht në SPAK”.

Ky mesazh tregon se grupi Bajri-Gjoka ka influencuar dhe korruptuar prokurorë brenda SPAK, për ta çuar dosjen në gjykatën e Shkodrës.

Pëllumb Gjoka: “…Nëse ai e ka vërtet at mendje shtyje…Mirë por sot ti lej në burg ata…Nuk po i thot njeri me i nxjerr…Ma mir të vin te ti se të shpërndahen…”.

Lita dyshohet se i përgjigjet lidhur me faktin se si do veprohet nëse gjykata shpall moskompetencën dhe dërgon mesazhet: “…le të bëhet ca të dojë se edhe nëse e dërgo…aty dërgohet vetëm masa se ne nuk e dërgojmë…këtë tonën…ca do bëje pa tonën…Se humbim shum koh”. “Se dhe ne nuk e mbarojmë për nje apo dy muaj…mir…po po”.

Në 19 shkurt 2020, gjykata e Shkodrës mer vendim duke ja kaluar dosjen SPAK, për hetime të metejshme.

I vënë në dijeni se çfarë kishte deklaruar Besmir Stroka tek Xhevahir Lita, një person nga burgu 313 në Tiranë i shkruar në “Sky” Pëllumb Gjokës, duke i pohuar se i kishte lënë porosi Behari me pseudonimin (Lopata).

I burgosuri i shkruan Gjokës në emër të “lopatës” Behar Brajoviq dhe e pyet lidhur me çështjen gjyqësore në Shkodër, duke dërguar mesazhe:

“…Shok si je… Lopata më pyt… Ca bohet noj gjo thot… Ka shonce me kthy dosjen më ke SPAKU se ktë kishte merak… Ok… Po për ca me e kthy… Si paska dash ai kshu… Po fole me avokatin e pyte… Ok po more përgj shpejt më thuj që t’i çoj fjal se ishte merak… Mirë… Po ka thën prokuror ska problem ashtu do jet… Ku? … Ke prokuror ktu apo Shkodër… Po s’kan si kthejn me… Po e kthyn prap SPAK atje do e çoj se kto kan mar vendim i her…Ishalla se lujn pra shok…”.

Nga biseda kuptohet që Pëllumbi i transmeton Behar Brajoviq nëpërmjet poseduesit të U2BA3G në burg, faktin që prokurori i ka thënë që nuk ka problem megjithëse dosja është kthyer në SPAK.

Në datën 20 Shkurt, Xhevahir Lita, shprehet se do vijë në Tiranë duke kërkuar takim me Pëllumb Gjokën tek “Rozafa” dhe të flisnin gjerë e gjatë.

RTSH Shkodra

Recent Posts

Ambasadori Gonzato takohet me Sejkon, vlerëson anëtarësimin në SEPA

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi një takim Ambasadorin e BE në Shqipëri,…

8 hours ago

Shqipëria denoncon pasivizimin në Medvegjë: Serbia po shkel të drejtat e njeriut dhe pakicave

Tirana zyrtare ka shprehur shqetësim serioz lidhur me fshirjen e adresave të shqiptarëve në Luginën…

8 hours ago

Rikthehen në liri 4 efektivët e “Shqiponja” – Gjykata e Shkodrës zbut masën e sigurisë pas arrestimit të tyre me 20 nëntor

Katër efektivë të “Shqiponjave”,  në policinë e Shkodrës, janë rikthyer në liri pasi u arrestuan…

9 hours ago

Rreth 20% e nxënësve raportojnë se bullizohen – Kadija: Studimi ishte i nevojshëm për parandalimin e situatave të mëtejshme

Dy ndër 10 fëmijë në shkollat e Shkodrës kanë raportuar se bullizohen. Shifrat e studimit…

9 hours ago

Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike – Rektori Gjuraj: Në planet tona për t’u hapur edhe në Shkodër

Shkodra me Fakultet të Shkencave Mjekësore Teknike, analiza e regjitrimeve në të 3 ciklet e…

9 hours ago

“Dita e Alfabetit” përkujtohet nga myftiu Sytari – Imam Muhamed Sytari flet për situatën e rëndë sociale në vend

Dita e Alfabetit është përkujtuar sot nga myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari.  Gjatë hytbes…

9 hours ago

This website uses cookies.