VENDIMI- Nxënësit që ndjekin mësimin e gjuhës shqipe në diasporë do përfitojnë falas tekstet mësimore
Këshillit të Ministrave ka bërë disa ndryshime në ligjin “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve për Diasporën”. Ndryshimet në ligj parashikojnë krijimin e Qendrës së Botimeve për Diasporën (QBD), si person juridik publik buxhetor, me seli në Tiranë, institucion i cili do të jetë në varësi të ministrit përgjegjës për arsimin.
Misioni i Qendrës është mbështetja e mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë përmes botimit, sigurimit të teksteve mësimore dhe materialeve plotësuese.
QBD-ja është përgjegjëse për botimin e teksteve dhe materialeve plotësuese që do t’i shërbejnë diasporës, redaktimin përfundimtar të teksteve e të materialeve plotësuese që do të botohen, nxitjen e aksesit on-line dhe të teksteve të veçanta për diasporën, nxitjen e krijimit të platformave digjitale të mësimdhënies dhe të formateve të posaçme për e-book, sigurimin e teksteve mësimore për diasporën, në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara, si dhe mbulimin e shpenzimeve për shpërndarjen e teksteve mësimore e të materialeve plotësuese deri në misionet diplomatike të Shqipërisë jashtë vendit.
Shtypja dhe sigurimi i teksteve mësimore dhe materialeve plotësuese, do të realizohet nga QBD-ja dhe shpenzimet përballohen nga buxheti i shtetit.
“Kërkesat për tekste mësimore e materiale plotësuese, si dhe sasia e tyre mblidhen nga misionet diplomatike të Republikës së Shqipërisë në vendet pritëse të diasporës shqiptare. Ministria përgjegjëse për punët e jashtme i dërgon këto kërkesa të përcaktuara sipas vendeve, brenda muajit maj të çdo viti, në Qendrën e Botimeve për Diasporën dhe për dijeni ministrisë përgjegjëse për arsimin. Qendra e Botimeve për Diasporën siguron me shpenzimet e saj dërgimin e teksteve mësimore e të materialeve plotësuese në misionet diplomatike, duke i kërkuar asistencë për bashkëpunim ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme e cila i siguron QBD-së, në funksion të lehtësimit të procedurave doganore, dërgimin e botimeve, si cargo diplomatike. Misioni diplomatik asiston në shpërndarjen e tyre drejt kërkuesve të teksteve mësimore dhe materialeve plotësuese.”, thuhet në vendim.
Nxënësit, që ndjekin mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë, përfitojnë falas tekstet mësimore dhe materialet plotësuese të botuara dhe të siguruara nga Qendra e Botimeve për Diasporën.
Qendra përgatit informacionin vjetor për sasinë dhe mënyrën e shpërndarjes së teksteve mësimore e të materialeve plotësuese në diasporën shqiptare, të cilin e dërgon pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme.
Pranë QBD-së funksionon Këshilli Koordinues i Botimeve për Diasporën, si organ vendimmarrës për çështjet e botimeve dhe aktiviteteve për diasporën, si dhe si organ këshillimor për çështjet e mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë.
Këshilli Koordinues i Botimeve për Diasporën është organ kolegjial, i përbërë nga pesë anëtarë, i cili ka përfaqësues nga ministria përgjegjëse për arsimin, dy anëtarë; ministria përgjegjëse për punët e jashtme, një anëtar; Akademia e Shkencave e Shqipërisë, një anëtar; Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, një anëtar.