Vengu me Maqedoncin: Çminojmë disa zona në bjeshkë për t’i kthyer në destinacione turistike
Në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu u prit nga homologu i tij, Ejup Maqedonci.
Në fjalën e tij për mediat, Vengu bëri me dije se gjatë bisedën me Maqedoncin kanë rënë dakord për një sërë përparësish për rritjen e kapaciteteve dhe investimin në kapitalin njerëzor.
Vengu po ashtu bëri me dije se një tjetër pikë e dakordësuar mes dyshes, ka të bëjë me çminimin e disa zonave që kanë mbetur ende pa u trajtuar nga Forcat e Armatosura të dy vendeve, zonë e cila ka një vëmendje turistike të posaçme.
Po ashtu, Vengu theksoi se së bashku me Maqedoncin, synojnë krijimin e grupeve të përbashkëta për mbrojtjen civile për zonat pyjore dhe malore.
“Privilegj të jem këtu pas një takimi me kryeministrin patëm mundësi të shkëmbejmë si dy kolegë,
Kemi darkodësuar një sërë përparësish për rritjen e kapaciteteve, investimin në kapitalin njerëzor. Kemi në dispozicion instrumentet e FA, që nga akademia e FA, agjencitë tona, në mënyrë që FSK-ja të ketë spektrin e sigurisë në vëmendje të trajnimit të Forcave dhe personelit tuaj.
Pika e dytë me të cilin jemi dakordësuar ka të bëjë me një veprimtari me brezin e bjeshkëve për çminim të disa zonave që kanë mbetur pa u trajtuar nga dy forcat e armatosura, është një zonë me vëmendje turistike të posaçme.
Pika e tretë që përbën interes të posaçëm, ka të bëjë me bashkimin e a forcave që resurset të mos dublikohen kur vjen puna te çështjet e mbrojtjes civile. Synojmë krijimin e grupeve të përbashkëta për mbrojtjen civile për zonat pyjore dhe malore”, tha Vengu.
Një vëmendje të veçantë në takimin mes Vengut dhe homologut të tij nga Kosova, mori dhe situata e sigurisë në rajon.
“Një vëmendje mori situata e sigurisë në rajon, kërcënimet qoftë në leximin që ka Kosova për situatën ashtu edhe aleanca ku ndërveprimi me NATO-n mbetet për ne përparësi kryesore. KFOR është një instrument për siguri kolektive ku duhet ndërvepruar në çdo situatë. Këtë gjë e nënvizova dhe në takimin e sotëm.
Shqipëria në KFOR ka kontribut të posaçëm dhe e ndjejmë si një privilegj për të ndihmuar që Kosova të kthehet në aktor që kontribuon në sigurinë kolektive”, përfundoi ai.