Vetëm “100 gramë” larg medaljes së artë, skualifikohet nga finalja se ishte mbipeshë
Historia e pabesueshme e mundëses indiane në Lojërat olimpike Paris 2024 do të shkruhet në faqet e historisë së olimpiadave. Vinesh Phogat mbeti jashtë finales për medaljen e artë, në konkurrimin në peshën deri në 50 kg, për shkak se u skualifikua sepse rezultoi vetëm 100 gram mbi peshën e deklaruar.
E tani ajo ndodhet në spital pas stresit të madh që ka pësuar trupi i saj për shkak të masave ekstreme të marra që përpara ardhjes në Paris, kur kuptoi se kishte shtuar 1 kg në hapësirën e një dite. Ajo bëri gjithçka për t’u rikthyer brenda parametrave të peshës. V
rapim, kalërim, çiklizëm, kërcim me litar, agjërim të detyruar, jo lëngje, nga prerja e flokëve deri te ideja e çmendur për të nxjerrë gjak, sauna të mjaftueshme për të humbur lëngje në mënyrë që të thahej trupi i saj. Një trajtim intensiv, i çmendur dhe çnjerëzor, vetëm për të humbur 1 kg. Pra për të qëndruar brenda kritereve të vendosura nga rregulloret e IOC, ajo nuk hezitoi të rrezikojë shëndetin e saj. Edhe pse stafi mjekësor, fizioterapisti, trajneri dhe drejtuesit teknikë u munduan ta ndalonin, Phogat vendosi të arrijë kërkesën e IOC.
Por e pabesueshmja ndodhi pikërisht ditën kur ajo do të konkurronte për medaljen e artë në mundjen e lirë. Në momentin e peshimit ajo ishte vetëm 100 gr më shumë se pesha e lejuar. Dhe vjen skualifikimi i menjëhershëm. Sepse këtu IOC ka rregulla të rrepta, nuk ka fare diskutime. Kjo ishte si një ëndërr e keqe për mundësen indiane.