Vetingu në politikë, Basha: PD propozon “lista të hapura”, një zonë zgjedhore dhe votim nga diaspora
Partia Demokratike ka depozituar në Komisionin e Reformës Zgjedhore propozimin për lista të hapura, krijimin e një zonë zgjedhore dhe votime nga diaspora.
Në një postim në rrjetet sociale, Basha theksoi se të gjitha këto nisma janë të konsultuara me qytetarët.
“Me këto propozime, listat e kandidatëve për deputetë çlirohen nga kontrolli i kryetarëve të partive, duke i dhënë mundësinë qytetarëve të zgjedhin drejtpërdrejtë deputetin që duan dhe duke rikrijuar lidhjen ndërmjet votuesit dhe deputetit, të cilat u shkëputën nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008,” tha Basha.
“Me propozimin për votën e diasporës,” thekson ai, “u kthejmë pa asnjë kufizim, shtetasve shqiptarë me qëndrim të përhershëm apo të përkohshëm jashtë Shqipërisë, të drejtën e tyre kushtetuese të zgjedhjes së përfaqësuesve në Kuvend.“
Në përputhje edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, shqiptarët jashtë Shqipërisë do të mund të ushtrojnë të drejtën e votës në vendin ku ata jetojnë.
“Këto nisma, të cilat ne i kemi konsultuar paraprakisht me qytetarët, kanë një mbështetje maksimale, prandaj tani është momenti që dëshirën dhe vullnetin e shqiptarëve ta shndërrojmë në ligj për t’u dhënë atyre fuqinë e vërtetë në përcaktimin e deputetëve dhe qeverisë së ardhshme,” përfundon Basha.
Basha theksoi se kjo bëhet për t’i dhënë fuqi zgjedhësve të zgjedhin deputetin dhe qeverinë që duan.
“Shqipëria renditet mes vendeve më te korruptuara, ç’ka ka ndikuar në zhvillimin ekonomik dhe emigrimin masiv të shqiptarëve,” shkruan Basha.
Sipas tij, një vend nuk mund të ketë një korrupsion kaq të përhapur, pa politikanë të korruptuar. Ndaj, tha ai, Shqipëria prej kohësh po vuan dhe nga një plagë tjetër, që është lidhja e politikës me krimin, inkriminimi i pushtetit, kontrolli i vendimarrjes nga krimi.
“Prandaj është koha që, ashtu siç bëmë me dekriminalizimin, të hedhim një hap tjetër shumë të rëndësishëm për pastrimin e politikës, me vetingun politik. Përtej sulmeve të përditshme, llumit të pakufi që hidhet në arenën e debatit politik dhe mediatik, shqiptarët kanë të drejtë të dinë kush është i korruptuar e kush jo, kush është i lidhur me krimin e kush jo.
Është koha të tregojmë vullnet dhe përgjegjshmëri para shqiptarëve,” thekson kryetari i PD-së.