Vetingu në politikë, PD dorëzon në Kuvend projektligjin, Basha: Të kontrollohen njësoj si magjistratët
Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend projektligjin për vetingun në politikë. Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nëpërmjet një mesazhi video në rrjetin social të PD-së, Facebook.
Skema që PD propozon nëpërmjet Bashës është që politikanët shqiptarë duhet t’i nënshtrohen vetingut në të njëjtën mënyrë si magjistratët.
Sipas Bashës, tashmë nuk ka më asnjë alibi për politikanët dhe se çdo deputet i Parlamentit duhet të shprehet nëpërmjet votës për ligjin e vetingut të politikanëve.
Basha nënvizoi në mesazhin e tij se përmes këtij ligji, do bëhet e mundur që shqiptarëve t’u tregohet se cilët janë politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin dhe që nuk u shërbejnë interesave të qytetarëve.
“Politikanët shqiptarë duhet t’u nënshtrohen të njëjtave kontrolle si magjistratët, por edhe punonjësit e gardës dhe policisë. Nuk ka më asnjë alibi. Çdo deputet duhet të shprehet përmes votës së tij për ligjin e vetingut të politikanëve. Duhet t’u tregojmë shqiptarëve se cilët janë politikanët e korruptuar, të lidhur me krimin, si dhe për t’u dhënë shqiptarëve një politikë të pastër”, theksoi Basha.
Sipas tij, nëpërmjet këtij projektligji synohet një reformim i ILKDP, si dhe një bashkëpunim me SPAK-un për të vërtetuar deklarimin që politikanët do të bëjnë çdo vit lidhur me pasurinë dhe pastërtinë e figurës së tyre.
“Dy janë parimet që zbatohen në këtë projektligj. Parimi, ndiq paranë , pra paraja e korrupsionit e fshehur në çdo forme të mundshme gjurmohet përmes instrumetave që i jepen një ILKDP të reformuar dhe të fuqizuar. Së dyti, i jepen kompetencat të njëjtit autoritet që në bashkëpunim me SPAK dhe shërbimet integligjence të vërtetojnë nëse një politikan gënjen apo thotë të vërtetën kur deklaron çdo vit pasurinë dhe thotë se nuk ka lidhje me eksponentë të krimit të organizuar”, theksoi Basha.