VIDEO-Vendgrumbullimet e mjeteve motorike e të rimorkiove, do të hiqen nga akset rrugore kombëtare
Ndërtimet, pikat e grumbullimit, tabelat, vendgrumbullimet e mjeteve motorike, të vendosura në mënyrë të paligjshme anës akseve rrugore kombëtare dhe në pikat kufitare në të gjithë vendin do të prishen.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili ka paralajmëruar të enjten se strukturat shtetërore të mbrojtjes së mjedisit do të ndalojnë dhe godasin me forcë çdo ndërtim apo ndërhyrje pa leje, anës akseve kombëtare dhe pikat kufitare.
Ministri Balla, nga ana tjetër, kërkoi nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit që të garantojë mbrojtjen e territorit dhe të peizazhit nga ndërhyrjet dhe zhvillimet e kundërligjshme përgjatë rrugëve.
Kjo, sipas tij, duke pasur në konsideratë ndalimin e krijimit dhe mbylljen e vendgrumbullimeve dhe grumbullimin e mjeteve motorike, rimorkiove, si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit, si dhe mbrojtjen e përbërësve të mjedisit, sipas legjislacionit në fuqi, si dhe çdo lloj ndërhyrje tjetër ose zhvillim të kundërligjshëm.
“Arsyeja pse jemi këtu është që të konfirmojmë se e mbështesim biznesin, ta vazhdojë punën, por të keni një afat kohor për ta përshtatur punën sipas lejes mjedisore, për të mos dëmtuar qoftë mjedisin, por edhe pamjen e rrugëve në Shqipëri, sytë e përdoruesve të rrugës, të turistëve të mos kenë qasje me këtë pamje që shohim këtu”, tha Balla gjatë një inspektimi në aksin Tiranë – Durrës.
IKMT dhe Policia e Shtetit kanë nisur një kontroll të plotë të gjithë territorit, mbi bazën e një akti normativ për pastrimin e gjithë rrugëve të vendit dhe pikat doganore.
Deri tani në disa pika doganore janë hequr 55 tabela, të cilat i japin territorit një pamje tjetër.
Kreu i IKMT-së, Ervin Hoxha tha se plani nuk është dëmtimi i biznesit, por identifikimi, sensibilizimi e ndëshkimi i veprimtarisë së paligjshme. Ky aksion do të bëhet në bashkëpunim me njësitë vendore.