Videoskandali në zyrën e bashkisë, Apeli i GJKKO dënon me mbi 4 vite burg Safet Gjicin
Ish-kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici është dënuar me vendim të formës së prerë për korrupsion pasiv.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi dënimin me 4 vite e 6 muaj burg për Gjicin, dënimi i të cilit është ulur me 1/3 duke u dënuar përfundimisht me 3 vite burgim.
Ndërsa Alma Kaçi është dënuar me 1 vit burg pasi akuzohet për korrupsion aktiv.
Sipas dosjes së SPAK, Gjici ka përfituar favore seksuale nga Alma Kaçi, duke i premtuar kësaj të fundit një projekt për qentë, ndërsa kjo e fundit ka ofruar favore seksuale në zyrën e punës së kryebashkiakut.
Sipas dosjes së SPAK thuhej se nga hetimet, rezultoi një bisedë e zhvilluar mes Alma Kaçit dhe Safet Gjicit në zyrën e tij, ku Gjici pas favorit seksual, e drejtori Almën te Granit Gjana, për të folur mbi tenderin për strehimin e qenve endacakë.
Gjithashtu po sipas dosjes hetimore, në banesën e Alma Kaçit u gjet një USB, që përmbante filmimin bruto të aktit seksual në zyrën e Bashkisë së Kukësit.
Po sipas SPAK filmimi është bërë me vullnet të plotë nga ana e Alma Kaçit dhe publikimi i videos u shoqërua me dorëheqjen e Safet Gjicit nga detyra si kryetar i bashkisë së Kukësit së bashku me arrestimin e tij.