Vidhet banesa në Shkodër – Shuma e grabitur mendohet 100 mijë euro, policia nis hetimet
![policia shkoder](https://i0.wp.com/www.rtsh-shkodra.live/wp-content/uploads/2024/08/policia-shkoder.png?fit=1024%2C489&ssl=1)
Një shumë e madhe parash është vjedhur në banesën e një ish-mjekeje në lagjen “Qemal Stafa”, në zonën e njohur “Ura Dervishbeg” në Shkodër.
Pronarët, burrë e grua, kanë bërë denoncim në polici për humbjen e parave, gjatë kohës që ata nuk kanë qenë në shtëpi.
Policia e Shkodrës njofton se me datë 12.02.2025, shtetasi me iniciale G. D. 77 vjeç, ka kallëzuar se i kanë vjedhur një shumë parash në banesën e tij, në lagjen “Qemal Stafa”, gjatë kohës që në banesë nuk ka patur njeri.
Shërbimet e Policisë po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Shuma e vjedhur dyshohet të jetë mbi 100 mijë euro, të cilën e mbanin në një dollap të dhomës së gjumit.
Autori, i maskuar, i është afruar në banesë me biçikletë, dhe po me të është larguar.
Nga hetimet rezulton se dera është hapur me çelës, dhe autori ka hyrë brenda krejt i qetë ka mundur të marrë shumën e konsiderueshme të parave.
Dyshimet e hetuesve janë për njeri të njohur të familjes, bazuar në mënyrën si është kryer vjedhja pa thyerje, me çelës dhe me informacion të detajuar për vendndodhjen e parave.
Blutë po punojnë për identifikimin e tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.