Vidhet skafi në liqenin e Shkodrës / Policia ka dyshime të forta se mund të jetë vjedhur për qëllime të paligjshme

Persona të paidentifikuar ende dyshohet se kanë vjedhur një mjet lundrues skaf, që ishte në pronësi të një 34-vjeçari në Shkodër dhe ishte parkuar në zonën e liqenit. Ngjarja u denoncua ditën e hënë (9 Shtator) nga pronari me inicialet A.D., i cili kërkoi ndihmën e policisë vendore për gjetjen e mjetit. Ai tha se nuk e dinte kush ishin autorët dhe kur ka shkuar te vendi ku ndodhej nuk e gjeti skafin.
Policia konfirmoi ngjarjen dhe sqaroi se “po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”. Referuar edhe precedentëve të shkuar, ka dyshime të forta se mjeti mund të jetë vjedhur për qëllime të paligjshme, transport lëndësh narkotike apo klandestinësh. Materialet për rastin i kaluan prokurorisë vendore për veprime të mëtejshme, teksa po mblidhen dëshmi dhe është njoftuar gjithashtu Roja Bregdetare dhe Kapiteneritë nëse e hasin në det apo ujërat territoriale.
-Ndërkohë, me anë të një tjetër njoftimi për shtyp, policia sqaron se Sektori i Policisë Rrugore referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen 22 vjeçare, banuese në fshatin Grudë e Re, pasi në segmentin rrugor “Grudë e Re – Shkodër”, automjeti që drejtonte ka përplasur motomjetin me drejtues një 42 vjeçar, banues në fshatin Boriç i Vogël. Sakaq Komisariati i Policisë Malësi e Madhe referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një 56 vjeçar, banues në Koplik, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.