Vijojnë afrimet te Vllaznia, ish- kapiteni Gurishta dhe i riu Rroku në dispozicion të Brdariç

Në kampin kuqeblu të Vllaznisë janë shtuar edhe dy firma zyrtare, njëra prej të cilave me shumë peshë, siç është ajo e ish- kapiteni Erdenis Gurishta, si dhe tjetra vjen nga kontigjenti i të rinjve të Akademisë Vllaznia. Sa i përket Gurishtës, në fakt, rikthimi i tij në shtëpi kishte ditë që lakohej në mjedisin kuqeblu, por zyrtarizimi është bërë mbrëmjen e së mërkurës.
Në të njëjtën kohë, një tjetër futbollist që i përket repartit të prapavijës firmos kontratën 3-vjeçare për Vllazninë. Bëhet fjalë për Gabriel Rroku, shtatlartin e Vllaznisë U-19, që për cilësitë dhe garancinë që ai ka dhënë në pozicionin e qëndërmbrojtësit, stafi i ka besuar shiritin e kapitenit të skuadrës.
Në kuadrin e përgatitjeve për ndeshjet e Kupave të Europës, Vllaznia luan pasditen e së shtunës në stadiumin “Loro Boriçi” miqësoren ndërkombëtare me Buduçnostin e Podgoricës.
