Vijon puna për hyrjen e qytetit – Mjetet po bëjnë zgjerimin e hapësirës së nevojshme

Hyrja e qytetit të Shkodrës vijon t’i nënshtrohet hapave të parë duke i çelur kështu rrugë projektit transformues të saj.
Aktualisht po vijon puna për lirimin e hapësirave të nevojshme.
Është planifikuar vijimi i aksionit dhe në zona të tjera përfshirë struktura të paligjshme të vendosura në Liqenin e Shkodrës.
Këto aksione janë të domosdoshme dhe kontribuojnë në menaxhimin e burimeve ujore, sidomos në drejtim të menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet.
Projekti, i cili tashmë ka marrë dritën jeshile të implementimit, kap vlerën e 4.7 mln euro, i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që synon të transformojë hyrjen e metropolit verior si dhe rikualifikim të bregut të liqenit të Shkodrës.
Projekti përfshin zgjerimin e rrugës në 4 korsi për një qarkullim më të shpejtë dhe të sigurtë, ndërtimin e trotuareve për të rritur sigurinë dhe aksesin për këmbësorët, ndërtimin e një ure të dytë mbi Drin, paralel me urën ekzistuese të Bahçallëkut, si dhe përmirësimin e nyjeve kryesore të trafikut në Harkun e Bërdicës dhe tek Ura e re e Bunës.