Vijon trendi në rritje i turizmit, 1.5 milionë vizitorë të huaj në 3 muajt e parë të vitit
Shqipëria po shndërrohet në një destinacion të kërkuar turistik gjithëvjetor.
Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar në muajin mars të këtij viti shënoi një rritje prej 47.1 %, duke arritur 564.975.
Kjo bëhet e ditur në raportin e lëvizjes së shtetasve për muajin mars që INSTAT publikoi të enjten.
Të dhënat tregojnë se shtetasit europian shënuan numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri. Nga gati 565 mijë të huaj që vizituan vendin, 539.683 ishin shtetas europianë.
14 267 shtetas ishin nga Amerika dhe 5 254 shtetas ishin nga Azia Lindore dhe Paqësori.
Krahasuar me marsin e 2023, hyrjet e shtetasve të huaj shënojnë rritje me 45.2 % për qëllime personale, rritje me 44.7 % për qëllime pushime,vizitë tek të afërm, etj dhe një rritje prej 2.1 herë për biznes dhe qëllime profesionale.
Statistikat tregojnë se përgjatë 3-mujorit vendin tonë e vizituan 1 535 113 shtetas të huaj ose gati 500 mijë më shumë se në të njëjtën periudhë të 2023-shit, kur Shqipëria u vizitua nga 1 070 564 shtetas të huaj.
Vendi u vizitua vitin e shkuar nga 10.1 milionë të huaj, ndërsa autoritetet në vend janë optimist se numri i të huajve që do të zgjedhin Shqipërinë si destinacion turistik do të arrijë 14 milionë.