Vila 31 do të kthehet në qendër arti
Me vendim të Këshillit të Ministrave, shtëpia e diktatorit Enver Hoxha do të kthehet në qendër arti.
Ditën e djeshme Këshilli i Ministrave miratoi tarifën e reduktuar për dhënien në shfrytëzim të disa ambienteve në objektin “Rezidenca Qeveritare, Vila 31 Tiranë”, për realizimin e projektit kulturor “Vila Art Rezidencë Tirana”.
Sipas kësaj VKM-je, vlera e tarifës së shfrytëzimit të ambienteve të objektit “Rezidenca Qeveritare, vila 31 Tiranë” do të jetë në masën ekuivalente të shpenzimeve për furnizimin me energji elektrike dhe ujë, si dhe koston e mirëmbajtjes e të trajtimit të këtyre ambienteve gjatë gjithë periudhës së dhënies në shfrytëzim për këtë projekt.
Vendimi ngarkon Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare dhe Ministrinë e Kulturës për zbatimin e këtij projekti dhe hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Vila 31, ku ka jetuar familja e diktatorit Enver Hoxha gjendet në zonën e “Bllokut”.