Vila e Enverit shndërrohet në rezidencë artistësh, Margariti: Objekt i poseduar nga fantazmat e së shkuarës
Vila e ish-diktatorit Enver Hoxha hapet për artin duke u shndërruar në një rezidencë artistësh në një bashkëpunim me fondacionin francez “Art Explora”.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti në fjalën e saj, deklaroi se shndërrimi i kësaj vile me një rezidencë artistësh, është dënimi më i keq në botën e përtejme të fantazmës që e posedonte.
“Vështirë ta ndash nëse ngjallte më shumë frikë apo kuriozitet një objekt i poseduar nga fantazmat e së shkuarës.
As restaurime të plota nuk kemi bërë. Mes dilemës nëse duhej ta linim të rrënohej bashkë me kujtesën e saj apo të ruhej si dëshmia e 50 viteve të rrëmbyera nga jetët e të gjithë shqiptarëve.
Nëse muret e kësaj shtëpie do të flisnin se çfarë kanë dëgjuar për artin që pas çlirimi e deri në rënien e diktaturës do tregonin se si poseduesi i kësaj vile e përdorte herë si mjet propagande, herë për të manipuluar turmën e herë për të mbyllur, mbytur e mallkuar e prerë krijimtarinë e jetën e artistëve, poetëve, muzikantëve. E në fakt është një listë mjaft e gjatë e të persekutuarve dhe dënuarve për shkak të artit.
Ne jemi të paduruar të përjetojmë kohën kur kjo vilë të mos quhet më vila e Enverit, por vila e artit, një hapësirë e munguar dialogu”, tha Margariti.
Ministrja u shpreh më tej shndërrimi i vilës së Hoxhës, në një rezidencë artistësh, e kthen Shqipërinë në një destinacion jo vetëm turistik, por edhe artistik.
“Në këtë shtëpi paradoksesh ne sot i hapim rrugë edukimit të brezit të ri përmes artit. Kjo rezidencë artistësh e kthen Shqipërinë në destinacion turistik e artistik”, u shpreh Ministrja.