Vit i ri me halle të vjetra – Qindra familje në Fshatin e Ri probleme me energjinë dhe rrugët
Banorët e Fshatit të Ri, në zonën e Postribës, janë në rrezik për shkak të rrjetit elektrik.
Shtyllat që mbajnë telat e energjisë janë kalbur dhe rrëzohen herë pas herë, çka bën jo vetëm që të ketë mungesë të energjisë elektrike, por edhe të rrezikojë seriozisht banorët.
Telat në shtylla, shumica të kalbura, janë në gjendje të keqe.
Por, fshati ka probleme edhe me rrugën. Në këtë segment nuk është ndërhyrë ,por janë vetë banorët, të cilët mundohen ta mirëmbajnë me çakull dhe zhavor për të mbyllur gropat, por në ditët me reshje ata e kanë të vështirë kalimin.
Në çdo fushatë elektorale, banorëve u është premtuar nga të gjitha forcat politike rikonstruksioni i rrugës, por premtimet asnjëherë nuk janë realizuar, duke e përjashtuar fshatin nga çdo investim.
Jetesa për banorët në këtë fshat është e vështirë në çdo stinë të vitit, pasi mungesat janë të mëdha në shërbimet elementare jetike që i nevojiten një komuniteti.