Viti i fundit i KPK-së, Komisioni Evropian ka kërkuar hetim për gjyqtarë e prokurorë të korruptuar
Komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kanë në duart e tyre dosjet për 85 gjyqtarët dhe prokurorët e fundit, që kanë mbetur pa u hetuar për pasurinë, për pastërtinë e figurës dhe për aftësitë profesionale.
E njohur ndryshe si KPK, shkalla e parë e vetingut i ka dhënë fund hetimit për 720 gjyqtarë dhe prokurorë, një pjesë e madhe e të cilëve u shkarkuan ose dhanë dorëheqjen.
Sipas një vendimi të parlamentit marrë me shumicë kushtetuese votash ky institucion po shkon drejt fundit të mandatit të tij.
Në dhjetor të vitit 2024 ky institucion do të pushojë së ekzistuari, pasi rrënjosi në Shqipëri një standard historik, të cilin e rriti Reforma në Drejtësi.
Që prej marsit të vitit 2018 kur nisi seanca e parë publike, shqiptaret panë se njerëzit e sistemit të drejtësisë të pas viteve ’90 u përballën me hetim të pasurive të tyre dhe të familjarëve të ngushtë, me kontrollin e biografisë për lidhje me botën e nëndheshme të krimit dhe me verifikimin e aftësive profesionale.
Deri në dhjetor 2023 nga sistemi dolën duke u shkarkuar 140 gjyqtarë, 103 prokurorë, mes tyre disa ish-anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe një ish-anëtar i Gjykatës së Lartë.
Sistemi i ri i drejtësisë u dha mundësinë disa funksionarëve të lartë të sistemit të kaluar të jepnin dorëheqjen nga detyra pa iu nënshtruar vetingut.
Në raportin e fundit për Shqipërinë, Komisioni Evropian shkruante se prokuroria duhet në mënyrë proaktive të fillojë hetimet për të gjithë ata prokurorë e gjyqtarë, të cilëve gjatë procesit të vetingut u dolën në pah elemente kriminale.