Viti i ri hebre, Rama uron izraelitët: Paqja mbizotëroftë mbi terrorin
Kryeministri Edi Rama ka uruar izraelitët për vitin e ri hebraik. Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, kreu i qeverisë shkruan se viti i ri hebraik qoftë një vit i rikthimit të gjithë pengjeve te të dashurit e tyre. Ndërsa shton se “paqja dhe humanizmi mbizotërofshin mbi terrorin dhe egërsinë”
“Duke i uruar komunitetit tonë hebre dhe të gjithë atyre që festojnë Rosh Hashanah një Vit të Ri të qetë dhe të ëmbël. Qoftë ky vit i ri kthimin e të gjithë pengjeve tek më të dashurit e tyre. Paqja dhe humanizmi mbizotërofshin mbi terrorin dhe egërsinë”, shkruan Rama në ‘X’.
Ndërkaq, më herët Papa Françesku ka bërë thirrje për një ditë lutjeje për paqe më 7 tetor, në kuadër të përvjetorit të sulmit vdekjeprurës të Hamasit ndaj Izraelit, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të rriten.
Gjatë gjithë papatit të tij 11-vjeçar, Françesku ka thirrur ditë agjërimi dhe lutje për konflikte të tjera, nga Siria në Ukrainë.
“Më 7 tetor, u kërkoj të gjithëve që të jetojnë një ditë lutjeje dhe agjërimi për paqen në botë”, thotë papa 87-vjeçar pas një meshe në Sheshin e Shën Pjetrit.
“Ka nevojë për këtë, veçanërisht në këtë orë dramatike të historisë sonë, ndërsa erërat e luftës dhe zjarret e dhunës vazhdojnë të përçajnë popuj dhe kombe të tëra”, ka theksuar Papa Françesku.
Papa, i cili do të vizitojë bazilikën e Santa Maria Maggiore të Romës të dielën për t’u lutur për paqen, ka bërë thirrje vazhdimisht për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.