Vizita e Blinken në Tiranë, policia plan masash. Bllokohet qarkullimi në disa akse, rrugët alternative për Rinas
Policia e Shtetit ka vendosur një plan masash për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë. Blinken do të qëndrojë në Tiranë për disa orë më 15 shkurt, ndërsa policia njofton akset të cilat do të jenë të bllokuara për qarkullimin e mjeteve dhe jep rrugët alternative për qytetarët.
Konktretisht masat fillojnë që sot pasdite ku do të ndalohet parkimi i mjeteve duke filluar nga ora 19:30 e 14 shkurtit deri në orën 20.00 të datës 15 shkurt në rrugët “Faik Konica”, “Dervish Hima”, “Ismail Qemali” (para Kryesisë së Kuvendit), “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, Rruga e Elbasanit, “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Bajram Curri”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, si dhe rruga “Ukraina e Lirë” (Gjykata Kushtetuese), do të ndalohet parkimi i mjeteve në rrugë dhe në hapësirat e caktuara për parkim.
Nga data 15 shkurt në fashat orare 09:30-12.30 dhe 17:30-20.00 do të ndalohet qarkullimi në rrugët si më poshtë:
- Interurbane dytësore Fushë Prezë-Rinas;
- Interurbane dytësore Rinas-Qafë Kashar dhe anasjelltas;
- Interurbane kryesore Qafë Kashar – ish-sheshi Shqiponja dhe anasjelltas;
- Interurbane kryesore ish-sheshi Shqiponja-Teg-Sanatorium dhe anasjelltas;
- Rruga e Elbasanit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Faik Konica”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Themistokli Germenji”, rruga “Abdyl Frashëri”, rruga “Ukraina e Lirë”, rruga “Gjergj Filipi”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe bulevardi “Bajram Curri”.
Gjithashtu policia ka vendosur rrugët alternative për qytetartë që do të lëvizin drejt Rinasit.
“Qytetarët që duan të shkojnë në aeroportin “Nënë Tereza”, më datë 15.02.2024, nga Durrësi dhe veriu, do të ndjekin përkatësisht drejtimin Vorë-Fushë Prezë-Rinas dhe kthim, Fushë Krujë-Fushë Prezë-Rinas dhe kthim, ndërsa nga juglindja dhe Tirana, do të ndjekin unazën lindore-Farmacia 10-Stacioni i Trenit-Bulevardi i Ri-Paskuqan-Kamëz -Valias-Aeroporti i Rinasit, dhe kthimi në të njëjtin itinerar. Për emergjencat mjekësore që mund të afektohen në oraret e bllokimet, të ndiqen rrugët dytësore dhe të tjera, në drejtim të spitaleve përkatëse, të ndryshme nga ato që do të përshkohen nga delegacioni amerikan”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.