Vizita e Erdoganit, masa të rrepta sigurie. Bllokohen disa segmente rrugore
Në kuadër të vizitës në Shqipëri, të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, policia e Shtetit ka marrë një sërë masash të detajuara për sigurinë e vizitës së kreut të shtetit turk.
Masat nisin që nga siguria në aeroportin e Rinasit, shoqërimi drejt Tiranës në vendet ku do të zhvillohen takimet dhe shoqërimi drejt Rinasit, në përfundim të vizitës.
Një nga masat e planit të detajuar konsiston në sigurimin e vizitës të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i cili do të zhvillojë takimet në datën 10 tetor 2024 në kryeqytetin shqiptar.
Për këtë arsye, Policia e Shtetit shpjegon se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera, në varësi të takimeve dhe aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë vizitës së Erdoganit në Tiranë.
“Drejtuesit e automjeteve të shfrytëzojnë autostradën e re Kashar – Rinas, për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit, pasi aksi i vjetër Kashar – Rinas nga ora 10:00 deri në 11:30, si dhe nga ora 17:00, deri në orën 18:00, të datës, 10.10.2024, do të jetë i bllokuar’’, thuhet në njoftimin e Policisë.
Rrugë të tjera që do të bllokohen janë:
Nga Rinasi – Qafa e Kasharit – Mbikalimi tek Casa Italia – nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”, Unazë (Astir) – Rrethrrotullimi i Saukut, Rruga e Elbasanit.
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura te ish Hotel Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” rruga “Ukraina e Lirë”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe rruga “Xhorxh Bush”.