Vizita e kryeministrit irlandez në Kosovë, Varadkar takon Kurtin dhe Osmanin
Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, i cili mbërriti pasditen e së mërkurës (10 janar) në Kosovë, do të vijojë këtë të enjte takimet me krerët e lartë të shtetit.
Pas takimit që do të zhvillojë fillimisht me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe takimit mes dy delegacioneve, dy homologët, në orën 10:30 do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Më tej, në orën 11:00, kryeministri Varadkar do të pritet në një takim nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Me qëllim mbarëvajtjen e vizitës së Varadkarit, policia e Kosovës ka marrë një sërë masash dhe ka njoftuar për ndërprerje të përkohshme të qarkullimit rrugor nga aeroporti ndërkombëtar Adem Jashari drejt Prishtinës, si dhe afër objekteve shtetërore si dhe në disa segmente rrugore ku do të kalojë automjeti me të cilin do të udhëtojë kryeministri irlandez si dhe eskorta që e shoqëron.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut, në intervale të shkurta kohore. Policia do ta riorientojë trafikun në rrugë alternative, andaj kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin e policisë.