Vizita e Melonit në Shqipëri, aktivistja e diasporës në Itali zbulon detaje për kampin e emigrantëve në Shëngjin
Kryeministrja e Italisë Georgia Meloni do të vizitojë sot Shqipërinë, ku në fokusin kryesor të agjendës do të jetë inspektimi në kapet e ngritura për emigrantët në Shëngjin dhe Gjadër të Lezhës.
Aktivistja e diasporës në Itali, Geri Ballo ndau disa detaje për “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH, lidhur me të gjitha proceset brenda kampeve të emigrantëve, ku çdo kosto do të paguhet nga shteti italian. Aktivistja tha se Meloni do të jetë e shoqëruar nga Ministri i Brendshëm që ka dhe tagrin për menaxhimin e flukseve të emigracionit.
“Emigrantët që do vijnë në Shqipëri do të mbyllen në kampe ku nuk mund të dalin dhe nuk strehohen, por do jenë në pritje të përgjigjes për kërkesat për azil. Nëse kanë të drejtë do të vendosen në Itali, në të kundërt do të kthehen në vendet e origjinës. Italia i kërkoi një ndihmë shtetit shqiptar, dhe Shqipëria përgjigjet kjo është e qartë.
Sa i përket shpenzimeve protokolli është shumë i qartë dhe parashikon që të gjitha kostot mbulohen nga Italia për çdo shërbim deri edhe për benzinën e automjeteve të përdoruar nga policia shqiptare që do patrullojë pjesën e jashtme të kampit do të paguhet nga italian. Çdo element që ka të bëjë me shërbimet ën kamp do të paguhen nga shteti italian”, tha Ballo.
Një tjetër pikë e agjendës së Meloni është edhe Java e Kulturës Italiane në Shqipëri, ku aktivistja tha se përkon edhe me 2 qershorin, festën e Republikës Italiane.
“Java e kulturës është duke u zhvilluar si çdo vit që përkon me 2 qershorin që është festa e Republikës italiane dhe ka një sërë nismash të shkëmbimeve kulturore dhe bizneseve”, u shpreh Ballo.
Aktivistja Ballo tha se kjo vizitë e Melonit në Shqipëri përkon edhe me fushatën e saj për zgjedhjet evropiane që mbahen këtë fundjavë.
“Është edhe një element i pjesës së fushatës për zgjedhjet evropiane në fundjavë. Grupi i konservatorëve dhe reformistëve ku bën pjesë dhe partia e Melonit ka si pjesë të platformës që emigrantët në Evropë të mos priten në shtetet ku synojnë të shkojnë por të zhvendosen në vende të treta jashtë BE dhe të menaxhohen që atje”, tha ajo.