Vizita në Gjadër dhe takimi me Ramën, kryeministrja italiane Xhorxha Meloni sot në Shqipëri
Kryeministrja e Italisë, Xhorxha Meloni (Giorgia) mbërrin këtë të mërkurë (5 qershor) në Shqipëri.
Meloni do të pritet nga homologu i saj Edi Rama, për të vijuar me vizitën e tyre në Gjadër në orën 11:15, aty ku do të akomodohen emigrantët që vijnë nga vendet e tjera përmes Italisë.
Më tej në orën 12:00 mësohet se dy krerët e qeverive Itali-Shqipëri do të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat.
26 gazetarë do të vijnë nga Italia për vizitën e Melonit në Shqipëri dhe më shumë se 30 gazetarë të akredituar nga Tirana, mes tyre edhe nga mediat ndërkombëtare do të ndjekin këtë vizitë të kryeministres italiane.
Sipas burimeve, bëhet me dije se Meloni do të lëvizë nga Aeroporti i Rinasit në Gjadër me helikopter.
Rreth orës 09:30 pritet të ulet avioni me të cilën do të udhëtojë kryeministrja italiane, në Aeroportin e Rinasit, ndërsa rreth orës 14:00 do të lëvizë sërish me helikopter nga Gjadri drejt Rinasit për në Itali.
Me qëllim mbarëvajtjen e vizitës zyrtare të Melonit në Shqipëri, Policia dhe Garda kanë hartuar një plan masash.
Policia e Tiranës dhe Lezhës dhe efektivët e Policisë Rrugore të jenë më të angazhuarit për këtë vizitë, ndërsa nuk do të mungojë edhe bashkëpunimi me Gardën e Republikës dhe përfaqësuesit e ambasadës italiane në vendin tonë.
Por po ashtu, një kufizim qarkullimi mjetesh do të ketë në disa rrugë, sidomos njërit sens të rrugës nga Tirana drejt Lezhës dhe anasjelltas apo edhe bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, kur eskorta e Melonit të vijë drejt Kryeministrisë.
Italia ra dakord me Shqipërinë ku nënshkroi edhe një marrëveshje për të ngritur një qendër në Gjadër dhe një tjetër në qytetin bregdetar të Shëngjinit 20 kilometra larg për të pritur emigrantët që do të shpëtohen në det nga anijet italiane, ndërsa kërkesat e tyre për azil janë duke u përpunuar.
Porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, si qendër e parë ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj.
Në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre emigrantët nga territori shqiptar.