Vizita në Kosovë, Presidenti Begaj takim “kokë më kokë” me kryeministrin, Albin Kurti
Presidenti Bajram Begaj, gjatë vizitës që zhvilloi në Prishtinë, pati edhe një takim ‘kokë më kokë’ me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Më pas takimi u zhvillua edhe me praninë e delegacioneve përkatëse.
Begaj, gjatë këtij takimi, konfirmoi qëndrimin e Shqipërisë krah Kosovës, duke theksuar faktin se çdo sukses i Kosovës, është sukses i shqiptarisë.
“Nuk ka rrugë tjetër. Shqipëri-Kosovë është një simbiozë që do të vazhdojë të ekzistojë”, – u shpreh Presidenti Begaj, bashkë me urimin që ditët e mira për shqiptarët të vazhdojnë të jenë të tilla, që të dyja vendet të kenë ardhmëri më të mirë.
Kreu i Shtetit theksoi se tashmë është mundësia që të përparohet, me qëllim që shqiptaria të jetë faktor i rëndësishëm për stabilitetin, paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.
“Funksionet publike janë të përkohshme, kombi është i përjetshëm”, vlerësoi Presidenti i Republikës, sipas njoftimit për shtyp.
Presidenti Begaj e cilësoi 12 qershorin e vitit 1999, si ditën që solli lirinë mbi vuajtjet, mbi persekucionin, mbi spastrimin etnik, mbi gjenocidin dhe kjo liri, – u shpreh ai, – është e të gjithë atyre atdhetarëve që dhanë jetën, sakrifikuan dhe kontribuuan për Kosovën.
Gjithashtu, Presidenti rikonfirmoi qëndrimin e tij për anëtarësimin e Kosovës në NATO, dhe për këtë angazhim, si dhe për lobimin në procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës, mori falënderime dhe mirënjohjen nga Kryeministri Albin Kurti.
Gjatë këtij takimi, Presidenti Begaj, në vijimësi të iniciativave, të cilave u është përkushtuar, propozoi që edhe Kosova të shpallë festë kombëtare 22 nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Për këtë kërkesë ai gjeti aprovimin e Kryeministrit Kurti.
Gjatë bisedës u trajtuan edhe çështje të shkëmbimeve kulturore dhe arsimore, ku një rëndësi e veçantë iu kushtua bashkëpunimit për lehtësimin e studimor të njohjes së historisë sonë nëpërmjet organizimit të shkëmbimeve mes shkollave.