Vizita në Prishtinë- Pas takimit me Osmanin, shefi i CIA-s takon kryeministrin Kurti
Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns vijon vizitën e tij në Kosovë, ku këtë të premte (23 gusht) ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti në Kryeministri. Pjesë e takimit kanë qenë edhe ambasadori amerikan Xhefri Hovenier dhe shefi i AKI, Petrit Ajeti.
Një ditë më parë shefi i CIA-s u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe shefin e Inteligjencës së Kosovës, Petrit Ajeti, por nuk u bënë të dituar detaje nga takimi dhe diskutimet që janë zhvilluar. Vizita e William Burns në Kosovë erdhi pas atyre pas vizitave në Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi, ku nuk është bërë e ditur asnjë detaj.
Vizita e Burns në Kosovë zhvillohet pasi ambasadori amerikan, Xhefri Hovenier u shpreh se Uashingtoni ishte sfiduar në disa aspekte nga qeveria e kryeministrit Albin Kurti. SHBA-ja dhe shtete të tjera perëndimore kanë kritikuar vendime dhe veprime të ndërmarra së fundmi nga Prishtina që i kanë cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuar, siç ishte edhe vendimi për hapjen e urës mbi lumin Ibër, për të cilin Hovenier u shpreh se cenonte sigurinë e ushtarëve amerikanë të KFOR-it.