Vizita në Turqi, Rama mbërrin në Ankara: Takim i Këshillit Strategjik të Nivelit të Lartë mes dy qeverive
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Ankara, ku do të zhvillojë një vizitë zyrtare, me ftesë të Presidentit turk, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan). Kreu i qeverisë ka publikuar pamjet nga pritja zyrtare në Aeroportin në Ankara, ndërsa kjo vizitë e tij në Turqi përfshin edhe takimin e Këshillit Strategjik të Nivelit të Lartë mes dy qeverive.
“Turqi, Ankara – Mbërritja në aeroportin ndërkombëtar të Ankarasë, me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, për vizitën dypalëshe dhe takimin e Këshillit Strategjik të Nivelit të Lartë mes dy qeverive tona”, shkruan Rama.
Në fokus të takimit do të jenë edhe nënshkrimi i disa marrëveshjeve bashkëpunimi që nga turizmi, menaxhimi i zonave të mbrojtura, marrëveshjet ushtarake dhe bashkëpunimi mes dy radiotelevizioneve, atij shqiptar dhe turk.
Në agjendën e zbardhur kryeministri Rama do të zhvillojë një takim me presidenti Erdoan dhe më pas do të bëhet edhe nënshkrimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit nga ministritë përkatëse, që kontribuojnë në forcimin e raporteve të Shqipërisë me Turqinë. Në fund Rama dhe Erdoan do të kenë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.