Vjedhja e të drejtave të autorit, Balla: Godasim krimin ekonomik dhe atë kibernetik
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar mbi organizimin e veprimtarive të paligjshme të palicensuara që vjedhin të drejtat e autorit nga operatorë të tjerë.
Balla shkruan se shkelja e të drejtave të autorit dhe krimit ekonomik do të jenë në fokusin e policisë së Shtetit.
“Organizimi i veprimtarive ekonomike të paligjshme, të paliçensuara, të cilat shmangin detyrimet fiskale ndaj shtetit dhe vjedhin të drejtat e autorit nga operatorë të tjerë të ligjshëm duhet të vijojë të jetë në fokusin e strukturave kundër krimit ekonomik në të gjithë territorin”, shkruan Balla.
Sipas tij, procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian kërkon koordinim midis Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera për të përballuar luftën ndaj krimit ekonomik, evazionit dhe krimeve kibernetike.
“Rruga e pakthyeshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian kërkon një koordinim edhe më të mirë mes Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese në luftën kundër krimeve ekonomike, evazionit, kontrabandës, krimeve kibernetike, piraterisë etj. Përgëzime Drejtorisë së Policisë Tiranë për fillimin e mbarë të këtij viti në goditjen e aktiviteteve kriminale të kësaj natyre”, shkruan më tej Balla.