Vjedhja e ullinjve/ Kreta përdor GPS për të mbrojtur pemët nga hajdutët
Vjedhja e ullinjve është bërë problem për fermerët e Kretës, ndaj autoritetet greke i janë kthyer teknologjisë për të gjurmuar pemët e ullirit gjatë sezonit të mbledhjes.
Nënkryetari i Shoqatës së Kooperativave Bujqësore të Iraklios, Miros Hilexakis (o. Myros Hiletzakis) i tha Agjencisë së Lajmeve Greko-Maqedonase (ANA-MPA) se metoda e gjurmimit me GPS është përdorur me sukses në Spanjë në vitin 2019 dhe fermerët në Kretë e kanë testuar me sukses.
“Spanjollët e gjetën këtë zgjidhje në vitin 2019, në vitin kur prodhimi i tyre arriti në 2 milionë tonë,” thotë Hilexakis.
“Vaji i ullirit ra në atë kohë në vëmendjen e hajdutëve që ose vidhnin ullinjtë gjatë natës duke i goditur me shkopinj, ose – më keq akoma – ata prenë degë plot me ullinj, duke i transferuar në depo dhe duke i korrur atje.“
Shoqata ka blerë katër “ullinj” elektronikë me GPS dhe i ka provuar me sukses.
Aparati “lidhet me celularin përmes një aplikacioni, dhe kur ‘ulliri’ hiqet nga pema, në një distancë tre ose katër metra larg dërgohet një mesazh dhe pronari njoftohet se është hequr,” shpjegon Hilexakisi.
“Ne jemi duke punuar me një kompani për një aplikacion që do të gjurmojë të gjithë rrugën, tërë procesin GPS, ku është hequr, në cilën kohë, çfarë rruge ka bërë dhe ku ka përfunduar.“
Ulliri elektronik është i papërshkueshëm nga uji dhe mund të vendoset edhe brenda kontejnerëve të vajit të ullirit.
“Incidentet e vjedhjes janë rritur pas krizës ekonomike, veçanërisht tani që vaji i ullirit vlen sa floriri, për shkak të çmimeve. Prodhuesit në Kretë dihet se qëndrojnë zgjuar gjatë natës gjatë viteve të korrjeve të mëdha, për të parandaluar vjedhjen. Në këtë kohë, 100 kilogramë naftë kushtojnë 1 mijë euro,” thotë Hilexakisi. /AMNA