Vjedhje energjie, drogë dhe ndërtime pa leje/ Një i arrestuar dhe 8 të proçeduar në Shkodër nga uniformat blu
Vjedhja e energjisë elektrike nga abonentë të ndryshëm, familjarë e biznese, vazhdon të jetë shqetësim. Fenomeni duket se është i shtrirë në një hapësirë të gjërë gjeografike në qarkun e Shkodrës, përfshirë edhe zonat turistike.
Në Bërdicë, është vënë në pranga një shtetas, i cili u kap në flagrancë pasi në biznesin e tij, u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. Policia e Shkodrës njofton se po proçedohen në gjendje të lirë 8 shtetas të tjerë, të gjithë banues në Theth, pasi në bizneset dhe banesat e tyre, janë konstatuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Në njoftimin e zakonshëm për mediat, uniformat blu bëjnë me dije edhe procedimin në gjendje të lirë të një 29 vjeçari nga Shkodra. Atij iu gjet një sasi lënde narkotike kanabis sativa, e cila u sekuestrua si provë materiale.
Është proceduar në gjendje të lirë edhe një shtetas tjetër, pasi u konstatua duke kryer pa lejen përkatëse, punime ndërtimi në banesën e tij.