Vjet mori statusin e vendit kandidat, BE: Bosnja të bëjë reforma për të nisur bisedimet për anëtarësim
Bashkimi Evropian i ka kërkuar Bosnjë e Hercegovinës të bëjë më shumë reforma në mënyrë që të bëhet e mundur fillimi i bisedimeve për anëtarësim në këtë bllok.
Lajmin e bëri të ditur kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Krishto. Bosnja e Hercegovina e mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2022. Por, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, asaj i kanë mbetur edhe disa kritere për t’i përmbushur në mënyrë që të mundë të hapen bisedimet për anëtarësim.
Një delegacion i madh nga Bosnja e Hercegovina u takua të martën në Bruksel me komisionarin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Verhelyi.
Verhelyi tha se BE-ja “sheh një përkushtim për reformat në Bosnjë e Hercegovinë dhe avancim pozitiv”.
“Jam i bindur se Bosnja e Hercegovina mund të bëjë më shumë dhe më mirë, e në këtë drejtim po punon Këshilli i Ministrave [i BiH]. Po shohim përparim të madh në reforma, qeveritë e reja janë vendosur në të gjitha nivelet, shpejt po miratohen buxhetet dhe të gjitha partitë politike e kanë shprehur integrimin në BE si prioritet të tyre”, tha Verhelyi.
Kryekomisioneri përmendi pranverën e vitit 2024 si afatin kur do të mundë të miratohej një vendim për nisjen e negociatave të anëtarësimit për Bosnjën.
Një numër i madh i përfaqësuesve politikë të entiteteve dhe institucioneve të ndryshme nga Bosnja e Hercegovina qëndruan të martën në Bruksel, për të marrë pjesë në një forum të nivelit të lartë politik me BE-në, që ka për qëllim avancimin evropian të këtij vendi.
Ky takim u zhvillua pikërisht në kohën kur vendet anëtare janë duke diskutuar rreth mundësisë së vendimit me kusht për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën. Sipas një drafti të përgatitur për miratim nga ministrat e BE-së, Bosnja e Hercegovina do të mundë të merrte një vendim për të nisur negociatat e anëtarësimit “kur të vlerësohet se janë përmbushur kriteret e nevojshme”, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Por, edhe ky formulim ka hasur në kundërshtime nga disa vende të BE-së dhe nuk do të jetë e lehtë për të ta sigurojë mbështetjen unanime që nevojitet për ta kaluar vendimin në Këshill.
Në takimin në Bruksel kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të entiteteve të ndryshme nga Bosnja e Hercegovina që kanë dallime diametralisht të kundërta në qëndrimet e tyre politike.
Ministri i Jashtëm i Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, tha se vendi i tij nuk ka asnjë alternativ tjetër pos integrimit në BE.