Vjosa Osmani mban fjalimin vjetor, Presidentja e Kosovës tha në Kuvend se ky ishte viti më i vështirë për sigurinë
Presidentja Vjosa Osmani në fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se vendi më 24 shtator u përball me situatën më të vështirë që kur ka shpallur pavarësinë. Gjatë fjalimit, i cili u bojkotua nga deputetët e partive opozitare PDK dhe AAK presidentja akuzoi Serbinë se pati qëllim të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Banjska ishte vetëm një paralajmërim që Serbia nuk do të heqë dorë nga planet e saj te errëta”, tha Osmani.
Ajo falënderoi përfaqësuesit e opozitës që në këtë çështje treguan përkrahjen për institucionet e Kosovës
“Në situata të tilla nuk duhet të ketë ndarje partiake e ideologjike, por duhet të ketë unitet, pa dallim. Rreshtimi i vetëm që na duhet është rreshtimi në anën e shtetit tonë të pavarur e sovran”, tha Osmani.
Duke iu referuar projektstatutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Osmani tha se vlerësimin final duhet ta japë Gjykata Kushtetuese.
“Është me rëndësi që të gjithë ne, pa dallim partiak, të ulemi dhe bashkërisht të përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund të kemi dhe t’i dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, kurdo që ky draft të vijë”, tha Osmani.
Osmani në adresimin para deputetëve përmendi edhe çështjen e shqiptarëve Luginës së Preshevës, për të cilët tha se po përballen me diskriminim mbi baza etnike. Ajo shtoi se është angazhuar për lehtësimin e procedurave për marrjen e shtetësisë së Kosovës për banorët nga Presheva, Medvegja e Bujanovci. Presidentja Osmani tha se pavarësisht se sa komplekse është rruga e integrimit, Kosova nuk do të heqë dorë nga anëtarësimi në BE, ndërsa anëtarësimi në NATO duhet të jetë prioriteti numër një. Ndërkohë mbrëmjen e së enjtes Kuvendi i Kosovës miratoi buxhetin e vitit 2024 që kap një vlerë prej 3.3 miliardë eurosh.