Vjosa Osmani pret ministrin çek, kërkon heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak ku ka kërkuar heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.
Në fokus të diskutimeve ndërmjet presidentes Osmani dhe ministrit Dvoraak, ishte situata aktuale politike dhe e sigurisë, forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe stabiliteti rajonal.
“Presidentja Osmani, nënvizoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës në rrugëtimin euroatlantik, duke theksuar domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim, përfshirjen në Partneritetin për Paqe, anëtarësimin në NATO, BE dhe organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Gjithashtu, Osmani i ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Duke nënvizuar vazhdimin e mbështetjes së Republikës Çeke në këtë rrugëtim, thuhet se Presidentja Osmani potencoi rëndësinë strategjike të përfshirjes së Kosovës në PfP e më pas në NATO, si një garanci për stabilitet jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit.
Gjatë këtij takimi, presidentja Osmani theksoi se sulmi terrorist dhe agresioni i 24 shtatorit në Banjskë, i mbështetur dhe sponzorizuar nga Serbia ishte përpjekje për ta minuar paqen dhe stabilitetin si dhe nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës.