Vladimir Putin regjistrohet për herë të pestë si kandidat për president me 350 mijë firma
Presidenti Vladimir Putin do të kandidojë për herë të pestë për karrigen më të lartë të shtetit rus, zgjedhje të cilat do të mbahen më 15–17 mars.
“Vendimi u miratua unanimisht,” njoftoi zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ela Pamfilova (o. Ella).
Sekretarja e KQZ-së, Natalia Budarina (o. Natalya) konfirmoi se sipas ligjit u përzgjodhën 60 mijë firma votuesish në mënyrë rastësore nga 350 mijë të firmosura nga mbështetësit e tij. “Si rezultat i verifikimit, 91 firma nga 60 mijë u shpallën të pavlefshme për shkak të informacionit të pasaktë rreth votuesve… ato përbëjnë 0.15% të votave të verifikuara,” tha znj. Budarina.
Putini është kandidati i katërt për president që ka regjistruar KQZ-ja ruse. Autoriteti zgjedhor më herë ka vulosur procedurën për kandidatët e tre partive parlamentare: Leonid Slucki (o. Slutsky) nga Partia Liberal-Demokrate e Rusisë, Vladislav Davankov nga Populli i Ri dhe Nikolai Karitonov (o. Nikolay Kharitonov) nga Partia Komuniste e Federatës Ruse.
Kjo do të jetë sfida e pestë në karrierën politike të presidentit Putin. Ai u zgjodh në krye të shtetit fillimisht në vitin 2000, u rizgjodh në 2004-rën, në 2012-ën pasi shërbeu më herët katër vite si kryeministër dhe përsëri në vitin 2018, kur arriti rezultatin më të mirë historik me 76,69% të votës popullore.