Vllazni dinjitoze në Laç, kuqeblutë ankesa për gjykimin
Një Vllazni dinjitoze ishte ajo që u paraqit në përballjen me Laçin. Ndonëse në fushë kundërshtare, kuqeblutë e drejtuar nga Qatip Osmani nuk kanë dashur t’ia dijnë teksa e kanë nisur ndeshjen me sulm duke ushtruar presion në portën vendase, ku vetëm aftësitë e portjerit Dajsinani kanë evituar golin në portën e Laçit. Pjesë e këtij presioni është edhe një moment i dyshimtë penalltie në favor të Vllaznisë, kur Gruda pengohet në zonën kurbinase, por arbitri Hamiti nuk është i mendimit për njëmbëdhjetëmetërsh. Ndërkohë, nga ana tjetër, në një aksion të laçjanëve, në dyluftimin e sulmuesit vendas me portjerin Qarri, Hamiti tregon gishtin tek pika e bardhë e penalltisë. Kuqeblutë reagojnë duke mos qënë darkort aspak për këtë vendim të arbitrit, por ndërkohë, penalltia është ekzekutuar me kapitenin Serxhio Ujkaj që kalon në avantazh Laçin. Pas mbylljes së pjesës së parë, 1 me 0 për Laçin, e dyta nis vrullshëm për kuqeblutë, ku brenda pesë minutash gjejnë golin e barazimit me anë të Alivodës. Vllaznia vazhdon të luajë mirë edhe pas shënimit të golit duke regjistruar raste të tjera shënimi, ndër to edhe një shtyllë pingule e tronditur nga Mala. Megjithatë, goli i dytë dhe i avantazhit nuk del në dritë për Vllazninë. Nga ana tjetër, ka një tjetër bilbil të dyshimtë nga ana e gjyqtarit Hamiti, por, këtë radhë, penalltia e akorduar nga gjyqtari lezhjan, anulohet nga vetë ai pas verifikimit të pamjeve në VAR. Megjithë këmbënguljet e Vllaznisë për të gjetur golin e avantazhit, minutat e fundit të krejt ndeshjes janë për kurbinasit, të cilët rrezikojnë më shumë. Gjithësesi, pas gjashtë minutave shtesë, Hamiti vërshëllen për mbylljen e gjithë ndeshjes, duke fiksuar barazimin, 1 me 1. Barazim që e lë Vllazninë përsëri mes skuadrave më të mira të Superiores duke mbajtur vendin e tretë me 34 pikë, një më shumë se Tirana e vendit të katërt, ndërkohë që pas barazimit po 1 me 1 të dy kryesueseve, Partizani-Egnatia, rrogozhinasit kryesojnë renditjen me 47 pikë të shkëputur me plot dhjetë pikë nga të kuqtë.