Vllaznia 21 gola në portën e Teutës/ Kuqeblutë e futbollit femra kryesojnë kampionatin me pikë të plota
Vllaznia e futbollit femra ka realizuar në javën e dytë të kampionatit një fitore të thellë në shifra. Kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka kanë tundur plot 21 herë rrjetën e portës së Teutës së Durrësit, skuadër e cila ishte mysafire pasditen e djeshme në Shkodër. Sfida e luajtur në stadiumin “Reshit Rusi” ka pasur si zakonisht protagoniste Megi Doçin, e cila ka shënuar 15 gola. Gjashtë golat e tjerë për skuadrën kuqeblu mbajnë firmën e sarandiotes Maria Bashka dhe kuksianes Jehona Çoka që regjistruan dopieta në këtë ndeshje, ndërkohë që shkodrania Klaudia Borçi dhe braziliania Aleixo Comparini, shënuan nga një gol.
Me këtë fitore, e dyta radhazi në kampionat, Vllaznia kryeson renditjen me pikë të barabarta me Apoloninë dhe Tiranën.