Vllaznia bashkëpunim me Tivarin / Presidenti i KB Shushanj, Vano Radoviç, vlerëson mikpritjen shkodrane

Vllaznia Tivari
Në miqësoren e zhvilluar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës mes Vllaznisë dhe skuadrës malazeze KB Shushanj të Tivarit në basketboll meshkuj ishte i pranishëm edhe presidenti i klubit Shushanj të Tivarit, Vano Radoviç. I shoqëruar nga ish basketbollisti dhe antari i kryesisë së Federatës Shqiptare të Basketbollit, Ilir Taflaj, njëherazi edhe president i Klubit të Basketbollit të Ulqinit, Radoviç nuk ka nguruar të vlerësojë bashkëpunimin mes dy klubeve përkatëse.
Për presidentin e klubit të Tivarit, Radoviç, dhe pse skuadra e tij fitoi me një pikë diferencë, 76-77, rezultati është në plan të dytë, sepse më e rëndësishme është se kjo miqësore i shërben të dyja skuadrave për kolaudimin e formacionit në prag të nisjes së kampionatit.
Në kuadër të këtyre bashkëpunimeve Vllaznia e basketbollit meshkuj do të jetë shumë shpejt mysafire në Tivar për ndeshjen miqësore të kthimit.