Vllaznia dhe Laçi, pika që nuk vlen
Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit i ka luajtur të premten në mbrëmje dy takimet e fundit të javës së 13-të të saj dhe, në sfidën e zhvilluar në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, Vllaznia është përballur me Laçin, në duelin që ka parë kuqeblutë ta mbizotërojnë lojën në 20 minutat e fillimit.
Kryesori Shahini bën me shenjë nga pika e bardhë e 11-metërshit pas një aksioni në zonë ku Silva ndalon në mënyrë të parregullt Grudën, në minutën e 20-të, por Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR) e sinjalizon për një pozicion jashtë loje të Gomeshit gjatë aksionit, duke e anuluar kështu pas plot 5 minutash pritje goditjen nga pika e bardhë.
Me Vllazninë që këmbëngul, por pa e gjetur rrugën e rrjetës do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat kanë të njëjtën tablo, me shkodranët që e kërkojnë më tepër golin dhe me kurbinasit që mbrohen dhe mundohen të godasin me kundërsulme. Loja në gjysmëorën e fundit do të karakterizohet nga duelet e shumta dhe përplasjet e forta, që kanë çuar në rritjen e nervozizmit në radhët e të dyja skuadrave dhe në ndërprerje të shpeshta e, për rrjedhojë, janë dhënë edhe plot 8 minuta shtesë.
As ato nuk kanë arritur të prodhojnë gol dhe mbyllet kështu me rrjeta të paprekura ndeshja midis Vllaznisë dhe Laçit, me të dyja skuadrat që ndajnë nga një pikë, që i lë në mesin e renditjes, dhe larg garës për 4-shen e kreut.