VLLAZNIA E FEMRAVE PËRGATITET PËR EUROPËN/ Merkato dhe ndryshime në staf, priten prezantimet zyrtare nga drejtuesit
Muaji gusht është i tëri në dispozicion të Vllaznisë në futboll për femra. Futbollistet kuqeblu, kampione absolute të futbollit shqiptar, vazhdojnë të jenë pjesë e kompeticioneve europiane. Madje, përfaqësimet e saj nga sezoni në sezon kanë ardhur duke u rritur ndjeshëm në aspektin cilësor, ku padyshim që kulmi i suksesit ishte mbërritja deri në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve duke bërë që në stadiumin “Loro Boriçi” të jenë mysafir klubet më në zë europiane, si Real Madrid, Çelësi dhe PSG.
Me të njëjtin objektiv pritet të futen futbollistet kuqeblu edhe në sezonin e ri futbollistik, ku krahas trofeve kombëtare do të luftohet që edhe në arenën ndërkombëtare të vijohet me të njëjtat objektiva si vitin e kaluar. Për t’u bërë realitet këto objektiva, presidenti i Klubit të Futbollit Vllaznia, Lazër Matija i ka krijuar kushtet e duhura skuadrës me zhvillimin e një faze përgatitore optimale, ndërkohë që me të njëjtin përkushtim po punohet edhe në merkato duke sjellë në Shkodër futbolliste të huaja, të cilat pritet t’ia shtojnë edhe më shumë forcën skuadrës kuqeblu. Kamera e RTSH Shkodra ndoqi nga afër seancën stërvitore të paradites së sotme, ku ndër të tjera të bie në sy edhe lëvizjet në stafin teknik. Kështu, ndonëse zyrtarisht pritet të bëhen publike në ditët e ardhshme, mësohet se trajneri i suksesshëm prej disa vitesh kampion me Vllazninë e femrave, Nikolin Leka është emëruar në detyrën e drejtorit të KF Vllaznia femra, ndërkohë që në pozicionin e trajnerit është vendosur të jetë Haris Lika, i cili më herët ka qënë në drejtimin e disa skuadrave të tjera të qarkut Shkodër.