Vllaznia e femrave vijon përgatitjet, të dielën do të luajë miqësoren me Buduçnost-in
Vllaznia e femrave vijon përgatitjet për ndeshjet e “UEFA Women’s Champions League”, të cilat do t’i luajë në fillimin e muajit shtator në Gjeorgji dhe gjatë kësaj periudhe përpos seancave me ngarkesa të mëdha stervitore, po mendohet edhe për organizimin e 2-3 ndeshjeve miqësore.
E para do të luhet këtë të dielë. Mësohet se kundershtar i kampiones shqiptare do të jetë skuadra malazeze e Buduçnost. Kjo e fundit ka nisur një projekt me të cilin kërkon të fitoje titullin kampion në sezonin e ri te futbollit malazez dhe si rrjedhoje ka bërë disa përforcime në merkato.
Në këto rrethana, do të jetë një test i mirë edhe për Vllazninë. Ndeshja është vendosur të luhet ditën e dielë, më datë 18 gusht në ora 17:00, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Përballja pritet me interes nga dashamirësit e ekipit kuqeblu, pasi në rradhët e tij, së fundmi kanë ardhur një numër i konsiderueshëm lojtaresh të huaja, të cilat në pamje të parë janë cilësore dhe mbetet për t’u parë se si ata do të ingranohen me pjesën tjetër të lojtareve që janë në skuadër.
Gjithsesi, pas miqesores me Buduçnost këtë fundjave, drejtuesit e Vllaznisë po mendojnë edhe për organizimin e ndonjë ndeshje tjetër, ku më e mundshmja do të jetë një përballje me kampionen e Kosovës, ekipin e Mitrovicës.