Vllaznia e futbollit femra mund Partizanin 3-0, kuqeblutë kryesojnë kampionatin
Vllaznia e futbollit femra nuk fal. Në përballjen e javës së parë të fazës së fazës së dytë ka mundur pastër ekipin e Partizanit me rezultatin 3 me 0. Ndeshja e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” ka pasur për protagoniste Fortesa Berishën e ardhur pak ditë më parë nga kampionia e Kosovës, Malisheva, e cila shënoi dy gola, ndërkohë goli tjetër ka pasur për autor kapitenen Ezmeralda Franja. Pas ndeshjes, golashënuesja Fortesa Berisha, është shprehur e kënaqur për këtë fillim kaq pozitiv me uniformën e Vllaznisë.
I kënaqur për këtë fitore është shprehur edhe trajneri Nikolin Leka, i cili ndër të tjera, ka deklaruar se synimi i Vllaznisë është fitimi i titullit të 11-të kampion.
Kampionati Kombëtar i futbollit femra, Abissnet Superiore, ndërpritet këtë javë, pasi kombëtarja e futbollit e drejtuar nga trajneri shkodran Armir Grima është grumbulluar për Turneun Ndërkombëtar të Maltës.