Vllaznia e nis me fitore superligën / Loja nuk bind, por rëndësi kanë pikët dhe renditja në katërshe
Vllaznia e nis vitin me fitore vitin 2024 që është njëkohësisht edhe ndeshja e parë e fazës së tretë teksa mundi Kukësin me rezultatin 1 me 0. Takimi i luajtur pasditen e së dielës në stadiumin “Loro Boriçi” për llogari të javës së19-të rregjistron gol që në sekondën e 59-të, kur sulmuesi shkodran Ildi Gruda, kalon në avantazh Vllaznisë. Ky avantazh kaq i shpejtë duket se kaloi në vetëkënaqësi futbollistët kuqeblu, të cilët në minutat në vazhdim nuk dhanë më të mirën e tyre në fushën e lojës. Nga ana tjetër, miqtë nga Kukësi ndërmarrin disa sulme të rrezikshme në portën e Vllaznisë duke shpërdoruar raste të pastra shënimi. Mes tyre, është edhe një penallti e humbur nga Rashiti në minutën e 38-të. Kukësi vazhdon ta qarkulloi topin më shumë edhe në pjesën e dytë, por nuk arrin të finalizoj rastet në gol, ndërkohë që kuqeblutë tentuan në minutën e 72-të, por portieri Tafas i mohoi golin e dytë Grudës duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllet me rezultatin minimal, 1-0 për Vllazninë.
Për zëvendëstrajnerin e Kukësit, Oltion Kërnaja, me lojën dhe rastet e krijuara, Kukësi meritonte më tepër në këtë ndeshje.
Edhe pse me një lojë jo bindëse,Vllaznia i gëzohet tre pikëshit që i mban në vendin e katërt me 29 pikë, po aq sa Tirana e vendit të tretë, ndërsa Kukësi renditet i parafundit me 19 pikë, ndërkohë që Superioren e kryeson Egnatia me 40 pikë e ndjekur nga Partizani me 35 pikë.