Vllaznia e vajzave kryeson kampionatin / Kuqeblutë furnizueset kryesore të ekipeve kombëtare
Vllaznia e Shkodrës në futboll femra vazhdon të mos njohë humbje në kampionatin e Superligës së sezonit 2023-2024.
Në javën e katërt e kampionatit, skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka mundi thellësisht Lushnjën me rezultatin 12-0. Sfida e luajtur në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës regjistroi dhjetë gola të shënuar nga sulmuesja potente Megi Doçi, ndërkohë që dy golat e tjerë u shënuan nga Borçi dhe Frericks. Pas javës së katërt, Vllaznia kryeson kampionatin me pikë të barabarta me Tiranën, e cila këtë javë triumfoi ndaj Partizanit duke fituar derbin me rezultatin 2 me 3. Pas ndeshjeve të javës së katërt, kampionati i Superligës së femrave është ndërprerë për angazhimet e ekipeve kombëtare në ndeshjet europiane, ku për ngjyrat kuqezi luajnë 9 futbolliste për kombëtaren e madhe, 3 për U19, dhe 4 për kombëtaret U15 dhe U16. Dy nga futbollistet kuqeblu të grumbulluara nga trajneri Krepi, Jehona Coka dhe Arlinda Kodra, shprehin emcionet e tyre për uniformën kuqezi.
Shqipëria U-19 në futboll femra është pjesë e grupit 1 në Ligën B të kualifikueseve të “Euro 2024” së bashku me Lituaninë, Qipron dhe Zvicren. Ndërsa kombëtarja e madhe e drejtuar nga trajneri Grima, është prag të dy ndeshjeve të radhës për Ligën e Kombeve, e para në Irlandë me datë 27 tetor dhe ndeshja e kthimit me 31 tetor në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.