Vllaznia e vajzave mund Elbasanin / Spikat Bernarda Rreshpja me 40 pikë të shënuara
Vllaznia në basketboll për femra, kaloi me sukses provën e javës së shtatë të Kampionatit Kombëtar duke mundur në transfertë ekipin e Elbasanit. Takimi i luajtur mbrëmjen e së premtes në pallatin e sportit “Tomorr Sinani” të Elbasanit, kishte një fillim më të mirë nga skuadra vendase, e cila arrin të fitojë periodën e parë me rezultatin, 15 me 10. Ndërkohë, perioda e dytë shoqërohet me një shpërthim të basketbollisteve shkodrane, të cilat të drejtuara nga trajneri i tyre Bledar Gjeçaj në përfundim të dhjetëminutëshit të periodës së dytë, fiksojnë shifrat, Elbasani 6 dhe Vllaznia 32. Shifra, këto që i çojnë skuadrat ne pushimin mes dy pjesëve, me avantazhin e Vllaznisë me rezultatin, 21 me 41. Pjesa e dytë e ndeshjes, është një fotokopje e së parës, kur në periodën e tretë, janë përsëri basketbollistet vendase me trajnerin elbasanas Arben Xhyra, të cilat diktojnë në fushën e lojës duke e fituar këtë periodë me rezultatin 16-11. Por, ashtu, si në pjesën e parë, Vllaznia kundrapërgjigjet në periodën e katërt, me një fitore të thellë në shifra, 15-24, duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllet me fitoren e Vllaznisë me rezultatin 52-77. Një fitore kjo e merituar e skuadrës kuqeblu me 25 pikë diferencë, ku më shumë se gjysmën e pikëve të Vllaznisë, plot 40-të të tilla i ka shënuar Bernarda Reshpja, e cila vazhdon të spikasë si pikëshënuesja më e mirë e skuadrës kuqeblu dhe në të njëjtën kohë e gjithë kampionatit. Pikët e tjera të Vllaznisë në këtë ndeshje janë shpërndarë në të gjithë pjesëtaret e skuadrës: Dashja 6, Dun 9, Hykaj 5, Kryeziu 6, Hykaj, Bokrina dhe Musaja nga 2, dhe Muçaj, 5 pikë. Me këtë fitore, pas javës së shtatë, Vllaznia ngjitet në vendin e tretë të renditje me 11 pikë, aq sa ka edhe Tirana e vendit të dytë, ndërkohë që kryeson Flamurtari me 14 pikë.