Vllaznia-Egnatia në RTSH, Tetova: I kënaqur nga merkato, jemi ndërtuar për të fituar dy trofetë
Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova ka folur për mediat në prag të ndeshjes kundër Vllaznisë, që do të transmetohet në RTSH Sport, të dielën në orën 17:00. Tekniku i rrogozhinasve është i kënaqur nga merkato, vlerëson kundërshtarin, por thekson se Egnatia synon të dy trofetë këtë sezon.
“Mendoj që kemi një grup të mirë, kemi bërë një merkato të mirë, kemi marrë lojtarët që kemi dashur si Dajsinani, Sota dhe Guindo. Grupi është i plotë, është i ndërtuar që të luftojë për të dy trofetë. Pastaj të shikojmë në fund se si do të shkojë.
Luajmë ndaj Vllaznisë, një emër i madh i futbollit shqiptar. Mendojmë të bëjmë më të mirën ndaj tyre. Grupi është i plotë, përveç Malotës që ka ende dhimbje, nuk duhet të rrezikojmë. Sa i përket Sotës dhe Guindos, është akoma shpejt për të dy, mendoj se duhet t’i harmonizojmë sa më shumë me grupin dhe më pas të shohim”, ka thënë mes të tjerash Tetova.