Vllaznia gabon në javën e tretë / Kuqeblutë u- 21 zhgënjejnë në Fier, e mund Apolonia vendase
Tre ndeshje, dy barazime dhe një humbje, është bilanci i Vllaznisë U21 në këtë fillim kampioni. Dy barazimet e mëparshme, i pari është regjistruar në transfertën e javës së parë me ekipin e Partizanit, ndërkohë i dyti ishte ai i luajtur përballë Kukësit në stadiumin “Reshit Rusi”. Ndërkohë, humbja ka ardhur në javën e tretë, ndeshje kjo e luajtur në transfertë me ekipin e Apolonisë së Fierit. Bunjaj, Sylia, Ramja, Paloka, Kapllanaj, Shimaj, Dulaj, Cungu, Dodaj, Halili, Kubazi, ishin lojtarët e aktivizuar nga minuta e parë, ndërkohë që tekniku Ergi Borshi aktivizoi gjatë ndeshjes edhe Rrokun, Zahin, Kodren, Selmanin dhe Jahajn. Fierakët kalojnë shumë shpejt në avantazh duke shënuar që në minutën e katërt me anë të lojtarit të tyre më të mirë Redi Kaçanolli. Të gjendur në disavantazh që në nisje të takimit, kuqeblutë shtojnë forcat sulmuese për të kërkuar golin e barazimit. Rastet për gol nuk mungojnë, por portjeri vendas Bushi bëhet shbpëtimtar i portës së tij. Me fitoren 1 me 0 në favor të Apolonisë mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që kur pritej goli i barazimit për Vllaznisë, është Apolonia që gjen golin e dytë në minutën e 51-të me anë të futbollistit të huaj Calice. 2 me 0 për fierakët, por nuk mjafton me kaq, sepse vetëm një minutë më pas, Vllaznia ndëshkohet me një karton të kuq nga arbitri Merdanja në dëm të mbrojtësit shtatlartë Klejdi Paloka, i cili detyrohet të largohet nga fusha e lojës. Në këto rrethana, me një futbollsit më pak në fushën e lojës dhe me disavanatzhin 2 me 0, 21 vjeçarët e Vllaznisë e kanë të vashtirë të përmbysin rezultatin. Kështu, që i gjithë takimi mbyllet me rezultatin 2 me 0 në favor të Apolonisë. Më i rëndësishëm sesa rezultati, është përformanca jo e mirë futbollistëve kuqeblu në fushën e lojës, të cilët në këtë fillim kampionati akoma nuk kanë arritur të marrin vlerësimet e duhura nga stafi teknik si dhe drejtuesit e klubit, të cilët presin që ky kontigjent futbollistësh të jetë furnizues i ekipit të parë.