Vllaznia, kampionia pa kundërshtarë
Vllaznia ka marrë fitoren e tretë radhazi në kampionatin e femrave, të cilin e kryeson në kuotën e 9 pikëve. 25-1 golaverazhi i vajzave kuqeblu, të cilat vazhdojnë të dominojnë kampionatin pa patur kundërshtar. Një gjë të tillë e kanë treguar dhe në sfidën e së dielës ndaj Gramshit, që është luajtur në Shtëpinë e Futbollit dhe që ka ardhur drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Vllaznia ka kaluar në avantazh që në të 1’, ndërsa në aksionin e parë sulmues Xhones e vetme me portieren Kolgeci nuk ka falur. Pas 15 minutash është radha e kapitenes Esmeralda Franja për të shënuar golin e dytë. Në këtë ndeshje, për herë të parë, është përdorur dhe sistemi VAR, i cili ka analizuar golin e Franjas, pas së cilës është arritur në përfundimin se nuk kishte pozicion jashtë loje.
Vllaznia mund të kishte thelluar në pjesën e parë me Megi Doçin dhe Klaudia Borçi, por shënjestra ishte e gabuar dhe në përfundim 2-0. Në të 60’, Doçi fiton njëmbëdhjetëmetërsh, kjo pas ndërhyrjes nga pas të Behramit. Dhe shënuesja më e mirë e Vllaznisë ka qenë e saktë dhe 3-0. Ndërkohë vjen një supergol i Begallos, që vulos rezultatin përfundimtar, 3-1 për Vllazninë.
Në ndeshjet e tjera Kinostudio ka barazuar 1-1 me Laçin, Tirana ka mundur 4-1 me Lushnjën dhe Apolonia fitoi 5-0 me Egnatian. E kampionati i femrave vijon të dhurojë emocione në ekranin e RTSH Sport.