Vllaznia mundet nga Bylisi, vendos Da Silva

Bylisi jep shenja mbijetese, teksa vlen goli i Da Silvas në fillimin e pjesës së dytë për të mundur në “Adush Muça” të Ballshit, Vllazninë. 36 pikë për Bylisin, që tashmë është shkëputur nga fundi i ftohtë i renditjes.
Në fakt një pjesë e parë që e sheh Bylisin më me tepër iniciativë, ndërsa që në të 8 i afrohet golit. Por Berko nuk ka shënjestrën e duhur. Ka dhe momente të ashpra në lojë, ndërsa në të 18’, Vllaznia pretendon për faull pas ndërhyrjes së Abazajt në dëm të Salës. Minuta e 23-të shënon daljen e Bajramit me karton të kuq.
Edhe pse faulli ishte për shkodranët, Yzeiraj e ka ndëshkuar Bajramin për atë reagim, që nuk i shkon për shkak skuadrën kuqeblu. Në të njëjtin moment është ndëshkuar dhe Berko me karton të verdhë. Edhe pse me një lojtar më pak, Vllaznia këmbëngul, ndërsa Mala ka tentuar nga goditja e dënimit, teksa topi është ndalur në murin mbrojtës të ballshiotëve.
Ndërkohë ballshiotët shkaktojnë faull në zonën shkodrane, kurse për miqtë vjen dhe goditja e dënimit e fituar nga Gruda, që e nxjerr përpara skuadrës e Bërdariç. Bylis e mbyll pjesën e parë në sulm, ndërsa Peralta ka humbur një shans të artë. Mirëpo pjesa e dytë nis ndryshe për Bylisin, që në të 47’ e sheh veten në avantazh me golin e Da Silvas.
Sërisht momente tensioni, kjo në të 67’, ndërsa Peralta shkakton faull ndaj Qatos. Protesta nga stoli i Vllaznisë, të cilët kanë kërkuar ndëshkimin maksimal për lojtarin ballshiot. Vllaznia kërkon barazimin, kurse në të 74’, Batista ka pritur gjuajtjen e Deliut. Shkodranët krijojnë një tjetër rast shënimi pas nëntë minutash, por gjithçka është frenuar nga pozicioni jashtë loje i futbollistëve kuqeblu.
Tjetër moment i mirë për Vllazninë, kjo në fundin e ndeshjes, e përsëri Batista ndal Delajn dhe në vërshëllimën e fundit të Yzeirajt ballshiotët janë ata që festojnë.